E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsion e mykje në drejtësi

25/12/2008  Presidenti Topi kërkon që drejtësia të ndahet me vullnet individual nga politika

Kërkohet shmangia e favoreve dhe t’u hapet rruga magjistratëve të rinj

TIRANË- Mes akuzave për mykje të drejtësisë shqiptare, Presidenti i Republikës Bamir Topi, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbajti dje në ambientet e KLD-së mbledhjen e fundit për vitin 2008. Në mbledhjen e djeshme u bë një përmbledhje e të gjithë veprimtarisë së KLD-së për vitin 2008, të cilën Presidenti e cilësoi me shumë aktivitete. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka operuar në mënyrë shumë profesionale, ka punuar me një frekuencë të lartë për takimet dhe patjetër i është nënshtruar në mënyrë të vullnetshme, por edhe të detyrueshme, një fryme të re të sintonizuar me të gjitha detyrimet që kanë strukturat e pushtetit gjyqësor, në radhë të parë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me të gjitha sfidat integruese të Shqipërisë”, tha dje Presidenti Topi para anëtarëve të KLD-së. Numri një i shtetit tha dje se si temë kryesore për këtë vit ka qenë ajo e korrupsionit në drejtësi. Këtë gjë sipas tij e ka prekur jo vetëm politika, por ndërkombëtarët dhe më shumë është ndjerë tek shoqëria shqiptare. “Ka nevojë sistemi i drejtësisë të pastrohet, realisht të pastrohet. Ka korrupsion dhe kur ky term përdoret në mënyrë shumë inflacioniste”-tha Topi.

Influenca e politikës

“Ajo që ne kemi kërkuar nga gjykatësit dhe të gjithë aktorët e drejtësisë, kudo ka qenë pikërisht ndarja me vullnet individual i perceptimit politik të pozicionit. Është e pamundur të themi që njerëzit janë të shkëputur nga influencat politike, është e pamundur. Ndryshe do të bëheshim qesharakë në këtë lloj diskutimi, por me një frymë të re që sot jemi të detyruar që ta përqafojmë, por që gradualisht, hap pas hapi, është një proces që bëhet ditë pas dite”. Ai shtoi se kjo është një sfidë sa institucionale, sa kolegjiale, po aq edhe individuale. “Pavarësia, tha Presidenti, fillon tek individi”. “Individë të pavarur, me një mentalitet do të thoja perëndimor, e theksoj perëndimor, sepse ju keni parë persona me integritet të lartë që kanë përballuar kauza të mëdha përballë politikës, në favor të qytetarit, të shoqërisë, në favor të kauzës së drejtë”, shtoi më tej ai. Topi sqaroi dje se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk operon vetëm me fjalë. “Sot ai bën një bilanc të rëndësishëm të një pune njëvjeçare, ku ka pasur një rinovim të dukshëm të strukturave të drejtësisë dhe që natyrisht është bërë jo thjesht për shkak të pozicionit ligjor dhe kushtetues që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë si qeverisja e pushtetit gjyqësor, por këtë e ka bërë në kooperim me të gjithë sistemin e gjykatave”, tha më tej kryetari i KLD-së. Ai shtoi se 80% e drejtuesve gjatë këtij viti, që në fillim të vitit pra, ka ndryshuar. “Ka patur shumë raste për të bërë një proces transparent. Kjo nuk do të thotë se ky proces mund të ketë qenë më i miri. Kjo ka qenë një procedurë e mirë, e cila ka shumë nevojë të përmirësohet në të ardhmen dhe të kihen parasysh shumë gjëra. Ne jemi futur në një proces, i cili ka qenë një proces konstant, ritmik, aq sa ndonjëherë është menduar që Këshilli i Lartë i Drejtësisë po punon, po zhvillon mbledhje për të emëruar një gjyqtar, apo për të zhvilluar një aktivitet kompleks, sikurse atij i takon ta zhvillojë, kështu që ne na është dashur të realizojmë edhe një raport, do të thoja proporcional për të trajtuar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por edhe me çështjet korrupsionit në sistemin e drejtësisë”, tha Topi.

Rinovimi

“Një organizëm i sëmurë nuk ka rëndësi sa e rëndë është sëmundja, por gjithnjë ka nevojë dhe duhet të rrisë imunitetin. Dhe unë do t’i konsideroja ardhjet nga Shkolla e Magjistraturës si antitrupa në favor të shëndoshjes së imunitetit të sistemit të drejtësisë. Ju po e kuptoni që tranzicioni shqiptar është një tranzicion, për fat të keq mjaft i zgjatur”.

Pastrimi

“Ka nevojë sistemi i drejtësisë të pastrohet, realisht të pastrohet. Ka korrupsion dhe kur ky term përdoret në mënyrë shumë inflacioniste, pa veprime konkrete, atëherë ne themi që s’kemi bërë asgjë. Gjërat duhet të vendosen në standardet e tyre. Dhe unë mendoj që, fatmirësisht gjatë këtyre viteve kemi pasur një shans shumë të madh”.

E kaluara

“Kemi mundësi të mos i lemë njerëzit e aftë dhe profesionistë të marrin pozicione dhe profesione të tjera, sepse nuk ka mundësi dhe nuk ka realitet dhe të lemë njerëz të tjerë, të cilët janë të mykur nëpër disa pozicione, duke mos vënë drejtësi, duke dhënë favore dhe duke e lënë këtë shoqëri që të mendojë që a do të ketë drejtësi në Shqipëri apo jo”.

Kritikat e Topit

Gjyqtarë të mykur në pozicionet e tyre

Duhet harruar e kaluara

T’u jepet përkrahje magjistratëve të rinj

Ka shumë korrupsion në drejtësi

Duhet bërë ndarja nga politika

Është sfidë institucionale dhe individuale

Sistemi i drejtësisë ka nevojë të pastrohet

Në drejtësi bëhen shumë favore

Ministria e Drejtësisë

Propozimi i ministrit për 10 vendet vakante në gjykatat Lezhë, Kavajë, Korçë, Lushnjë, Fier e Shkodër u rrëzua megjithëse ky propozim mbështetej në një studim të llojit të gjykatave, të infrastrukturën e tyre dhe rezultatet përfundimtare akademike të kandidatëve. Kreshnik Spahiu e rrëzoi këtë propozim me arsyetimin që të emëroheshin vetëm kandidatët për vendet vakante në gjykatat Korçë, Lushnjë, Fier e Shkodër dhe rrjedhimisht të mos emëroheshin kandidatët në vendet vakante në gjykatat Kavajë dhe Lezhë, pra duke e copëzuar procesin megjithëse kishte vende vakante, dhe për pasojë në shkelje të frymës së ligjit. Ministria e Drejtësisë pretendon se tenderi është bërë diku gjetkë/Ky votim dëmton funksionimin e Shkollës së Magjistraturës dhe ka efekte edhe në funksionimin e pushtetit gjyqësor sepse sipas ligjit “Për Shkollën e Magjistraturës”, emërimi këtyre gjyqtarëve duhej bërë që në tetor dhe me ligj ata kanë të drejtën e pagesës së plotë deri në ditën e emërimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›