Falsifikatori Shini: “I prodhoja vërtetimet e taksave për bukën e fëmijëve”

02/06/2005 Lirim Shini, i arrestuar për prodhimin e vërtetimeve të falsifikuara të taksave për automjetet, e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij. Madje, ai ka pranuar para hetuesve se këtë punë të paligjshme e ushtronte për të nxjerrë bukën e fëmijëve. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat sqaruan se, Shini ka theksuar se nuk kishte gjetur punë tjetër dhe se ishte detyruar të prodhonte dokumente të falsifikuara për të mbajtur familjen. Ndërkaq në një nga dhomat e shtëpisë së tij, Prokuroria dhe Policia kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjete të teknologjisë së fundit për kryerjen e falsifikimeve. Sipas hetuesve, kjo dhomë dukej si një studio e vërtetë dhe dokumentet e falsifikuara që prodhonte Shini, ishin thuajse të pakuptueshme me ngjashmëri të madhe me ato origjinalet. Burimet e policisë pohuan se në banesën e 39-vjeçarit Lirim Shini, janë gjetur dhe sekuestruar një sërë mjetesh të një teknologjie të lartë si kompjutera, laminatorë, skanera, printera etj. Sipas burimeve, të gjitha këto aparatura i përkisnin dy viteve të fundit. Lirim Shini, në “studion” e banesës së vet në rrugën "Ferit Xhajko”, kishte arritur të prodhonte të gjitha taksat e automjeteve dhe vërtetimeve doganore. Sipas Prokurorisë, teknologjia e prodhimit të këtyre pullave dhe vërtetimeve të falsifikuara arrinte të kopjonte edhe elementë sigurie të njëjta me ato të çeqeve bankare. Nga hetimi është konkluduar se Shini i shiste kundrejt 30 për qind të vlerës reale të tyre dhe ishte furnizuesi kryesor i tregut të zi në “Rrugën e Kavajës” dhe disa rrethe të vendit. Në cilësinë e provës, policia ka sekuestruar afro 500 vërtetime të ndryshme, duke filluar që nga certifikatat e kontrollit teknik të automjeteve, taksat e regjistrimeve, taksat vjetore të qarkullimit rrugor, e deri te pasaportat false, përfundojnë burimet. E.H.