E Hënë, 2 Nëntor 2026

Krimet e Rënda lënë në burg Elvis Pethin, kërkoi shuarje të masës së sigurisë

02/06/2005  Avokati mbrojtës i Elvis Pethit, të akuzuar për pengim të hetimit për shpërthimin e një sasie eksplozivi në një pallat në rrugën “Don Bosko” në fillim të marsit, ka kërkuar shuarjen e masës së sigurisë. Gjatë seancës së djeshme të rivlerësimit të masës së sigurisë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka hedhur poshtë kërkesën e avokatit mbrojtës të Elvis Pethit, vëllait të Leonard Priftit, ky i fundit i shpallur në kërkim për vrasje. Nga burime pranë gjykatës, është bërë e ditur se avokati i Pethit, ka kërkuar shuarjen e masës së sigurisë, pasi çështja kishte kaluar nga Gjykata e Shkallës së Parë tek ajo e Krimeve të Rënda, pa rivlerësim mase. Por në bazë të ligjit në fuqi, që zbatohet nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, një procedurë e tillë nuk është e nevojshme, theksuan burimet. Elvis Pethi u arrestua Ditën e Verës, pasi dyshohej se kishte dijeni mbi motivin e shpërthimit të eksplozivit te “Don Bosko”, ku mbeti i vdekur vetë autori, Enver Rabiaj. Ky i fundit u identifikua një muaj pas ngjarjes, nga e ëma e tij. Bashkë me Elvis Pethin u arrestuan edhe dy lushnjarë të tjerë, Ardian Llapushi dhe Mario Hasani, të cilët u liruan, pasi rezultoi se nuk kishin dijeni mbi ngjarjen. Nga hetimet e Prokurorisë, u konkludua se numri i Elvis Pethit kishte kryer thirrje telefonike me atë që iu gjet viktimës Enver Rabiaj. Por këto thirrje ishin kryer rreth një muaj para ngjarjes dhe nuk dihet nëse në atë kohë numri ka qenë apo jo në pronësi të Rabiajt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›