E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policia: Tifozë, rrini larg stadiumit

02/06/2005  Blutë e Tiranës marrin masa për ndeshjen Shqipëri-Gjeorgji, ndalohet qarkullimi i mjeteve

TIRANË- Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve të Shqipërisë e drejtuesve të mjeteve të rrinë larg stadiumit "Qemal Stafa", gjatë ndeshjes së Kombëtares sonë me Gjeorgjinë. Dënimi i FIFA-s parashikon një stadium të boshatisur, ku do të jenë të pranishëm vetëm gazetarët dhe të ftuarit e nderit. Në një njoftim për shtyp, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë bëjnë me dije se, "më datë 04.06.2005, në orën 20.30, në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’, do të zhvillohet ndeshja ndërkombëtare e futbollit, për eliminatoret e Kampionatit Botëror ndërmjet ekipit të Shqipërisë dhe Gjeorgjisë. Sikurse është njoftuar në media, ndeshja ndërkombëtare e futbollit Shqipëri-Gjeorgji do të zhvillohet pa sportdashës, dënim i dhënë nga FIFA". Për të përforcuar kufijtë përreth stadiumit, sektori i Policisë së Rendit ka përpiluar një plan masash, taktikë kjo që tashmë është kthyer në një eksperiencë tepër të suksesshme, përsa i përket garantimit të rendit e qetësisë.

Bllokimet

Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës do të bllokojnë gradualisht disa rrugë, për të arritur kulmin në datën 4 qershor. Në njoftimin për shtyp thuhet se, "nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, janë marrë të gjitha masat për zhvillimin e këtij aktiviteti, duke bllokuar zonën përreth stadiumit ‘Qemal Stafa’, me qëllim që të plotësojmë standardet e kërkuara nga FIFA. Për këtë qëllim, do të bëhet bllokimi i rrugëve ‘Dervish Hima’, ‘Asim Zeneli’, ‘Themistokli Gërmenji’, sheshi ‘Nënë Tereza’, sheshi ‘Italia’, rruga ‘Lekë Dukagjini’ etj. Gjithashtu do të bëhet edhe mbyllja e lokaleve përreth stadiumit”.

Kërkesa

Në mënyrë civile, duke plotësuar të gjitha standardet e një policie që bashkëpunon ngushtë me komunitetin, uniformat blu shprehin fjalën e tyre të formuluar në këto fjali. "Duke respektuar vendimin e FIFA-s, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve të Tiranës të mos tentojnë të futen në zonën e shërbimit, ambientet e stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’ dhe të kufizojnë lëvizjen me automjete në këtë zonë nga ora 17.00 e ditës së shtunë. I ftojmë ata që të tregojnë një civilizim në këtë rast dhe të ndjekin ndeshjen nëpërmjet ekraneve të televizioneve. Ju falenderojmë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin".

Shqipëria vuan dënimin e FIFA-s

Ndeshja e radhës e Kombëtares së Shqipërisë kundër Gjeorgjisë do të luhet të shtunën në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, pa prani e tifozëve. Kjo për shkak se përfaqësuesja jonë vuan dënimin e dhënë nga FIFA për parregullsitë e vërejtura në ndeshjen e 9 shkurtit 2005, në po këtë stadium kundër skuadrës së Ukrainës, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2006. Takimi i atëhershëm do të përfundonte me rezultatin 0-2 në favorin e kundërshtarëve, por disa çakmakë e shishe të hedhura nga tifozët dhe një pistë e “mbingarkuar” me njerëz gjatë zhvillimit të takimit, i kushtuan shtrenjtë Shqipërisë, e cila për këtë arsye do të dënohej nga Komisioni i Disiplinës pranë organit më të lartë të futbollit evropian me dy ndeshje brenda pa tifozë dhe me një gjobë prej 40 mijë eurosh. Vetëm pak kohë më vonë, ky dënim do të përgjysmohej nga Komisioni i Apelit në FIFA: vetëm një ndeshje pa tifozë dhe 20 mijë euro. Kështu që, përveç likujdimit financar, tashmë me ndeshjen e së shtunës kundër Gjeorgjisë në një stadium pa tifozë, do të shlyhet edhe pjesa tjetër e dënimit të dhënë nga “qeveria” e futbollit evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›