Vrau për gjakmarrje, dënohet 23 vjet burg
02/06/2005 TIRANË – Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me 23 vjet burg të pandehurin Bardhyl Rustemi, akuzuar për vrasje. Ndërkohë që prokurori kërkoi për Rustemin dënimin me 24 vite heqje lirie. Për gjykatën, i pandehuri është autor i vrasjes së shtetasit Lec Majnishta. Në vitin 1992, kur iu vra xhaxhai, ishte vetëm 10 vjeç. Midis dy familjave janë shkëmbyer disa herë biseda për të falur gjakun. Por gjithsesi, asgjë nuk u arrit. Të gjitha këto u dëgjuan dhe u mbajtën mend nga njëri prej djemve të fisit, i cili nuk mund të jetonte pa marrë hakun e xhaxhait të vrarë. Kështu në vitin 2003, kur sapo kishte mbushur 21 vjeç, Bardhyl Rustemi vendosë të marrë hakun e xhaxhait, Ruzhdi Rustemi. Rustemi akuzohet se ka vrarë në mes të Shkodrës, me armë automatike shtetasin Lec Majnishta. Ndaj të pandehurit rëndon edhe akuza e plagosjes. Në momentin kur arma është shkrehur mbi trupin e Lec Majnishtës, plumbat kanë kapur edhe një prej kalimtarëve të rastit. Sipas akuzës, ka qenë shtetasi Fatos Selmani ai që u plagos.
A.Çuka
A.Çuka