Skëndo, prokurori kërkon dëshmitar ish-gjyqtarin Aliaj
02/06/2005 TIRANË – Prokurori Behar Dibra i kërkoi dje gjykatës të thërras për të dëshmuar në procesin gjyqësor kundër të pandehurit Erjol Skëndon, ish-gjyqtarin Petrit Aliaj. Bashkë me emrin e Aliaj është shënuar edhe ai i gjyshit të vajzës, për të cilën pretendohet se është trafikuar nga Erjol Skëndo. Kërkesa u bë pas dëshmisë së vajzës Emine Zhupa, e cila deklaroi se ishte gjyqtari Petrit Aliaj ai së bashku me gjyshin e saj që kishin planifikuar të gjithë historinë kundër Erjol Skëndos. Dje për të dëshmuar në këtë proces, u paraqit edhe shtetësja Hatixhe Zhupa, që, sipas vajzës, e ka lidhur atë me Erjol Skëndon. Zhupa në dëshminë e saj, tha se nuk e njeh Skëndon, por në një bisedë ka dëgjuar gjyqtarin Petrit Aliaj të bindë gjyshin e vajzës për të kallëzuar Erjolin. Historia e djalit 20-vjeçar nga Saranda, tashmë është bërë objekt në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Është një histori që fillimisht u nis nga gjyqtari Petrit Aliaj, me akuzën e parë për vjedhje për të cilën mori pafajësi dhe tashmë po përballet me akuzën e trafikimit të fëmijëve. Seanca tjetër do të zbardhë të vërtetën.
A.Çuka
A.Çuka