Falsifikim dhe kontrabandë, 6 në pranga

Arrestohet nga policia, foto arkiv
Policia e Tiranës ka arrestuar 6 persona, të cilët akuzohen për falsifikim dhe kontrabandë. Në sajë të operacionit të koduar “Tollonat” janë arrestuar shtetasit, Enrik Gedaj, 24 vjeç, Elian Lani, 23 vjeç, Henri Loca, 26 vjeç, dhe Holger Loca, 25 vjeç, këta persona akuzohen për falsifikim të tollonave të karburantit.
Personat e sipërpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me anë të pajisjeve kompjuterike në mënyrë të vazhdueshme, falsifikonin dhe përdornin në tregun e brendshëm tollona të një shoqërie karburanti, duke i sjellë një dëm të konsiderueshëm biznesit të saj.
Gjithashtu, gjatë operacionit të koduar Celulari janë arrestuat shtetasit, Erion Caco, 23 vjeç, dhe Agim Haklaj, 49 vjeç, pasi akuzohen për kontrabandë celularësh.
Arrestimi i tyre u bë, pasi dje rreth orës 16.00, në rrugën “5 Maji” është kapur në flagrancë shtetasi Agim Haklaj, me një sasi prej 72 telefonash celulare të dyshuar se janë kontrabandë, të cilat i kishte blerë në dyqanin e shtetasit, Erion Caco, me vendndodhje në Rrugën e Dibrës.
Pas kontrollit të ushtruar në dyqanin e këtij të fundit, nga policia janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 135 telefona celular të llojeve të ndryshme, të cilët ishin pa taksë doganore. Sipas policisë, në total, janë sekuestruar 207 telefona celularë të dyshuar si kontrabandë. /E.L/