Falsifikimi, KQZ përjashton PPSH-në nga kandidimi
KQZ-ja përjashtoi dje nga kandidimi i 28 qershorit, PPSH-në. Shkak është bërë falsifikimi me firmat e 10 254 qytetarëve. Një gjë të tillë e denoncoi dje edhe PS-ja. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, deklaroi se noterja në dokumentet e kandidimit të kësaj force politike nuk kishte dijeni për gjithë këtë dokumentacion. Sipas tij, noterja ka lëshuar një deklaratë, e cila rrëzon poshtë firmosjen e më se 10 mijë qytetarëve. Më pas, Gjonçaj lexoi deklaratën, të cilën sipas tij, e ka dhënë noterja. “Asnjë person si kryetari Mark Dajti dhe asnjë person tjetër nuk është paraqitur para meje për të kryer veprimin e mësipërm, vërtetimin e nënshkrimit si dhe për të bërë dhe 10200 deklarata mbështetëse për Partinë e Punës së Shqipërisë së Riorganizuar”, - thuhet në dëshminë e noteres Miranda Xhemalce. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, tha se në rast se është e vërtetë, KQZ-ja do të mbajë një qëndrim, por ai i kërkoi që ky pretendim i PS-së të shkojë në Prokurori, që është organi përkatës i cili zbulon në rast se është bërë ndonjë falsifikim. Edhe Partia Demokratike dënoi këtë akt, duke kërkuar që ky pretendim të zbulohet sa më shpejt. Përfaqësuesi i PD-së, Kosovrastri, kërkoi që të verifikohen me detaje edhe dokumentet e kandidatit të pavarur.