E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia e Kosovës, Basha merr garancinë e vendeve islamike



Ministri i Jashtëm Lulzim Basha merr garancinë e vendeve islamike se pas miratimit të rezolutës së Shqipërisë për Kosovën, shumë shpejt ato do ta njohin Kosovën shtet. Këtë mesazh dhe siguri i përcollën dje në Tiranë kryediplomatit shqiptar, ambasadorët e vendeve të Organizatës së Konferencës Islamike, të akredituar në Tiranë.

Ministri Basha i falënderoi ambasadorët e Arabisë Saudite, Egjiptit, Iranit, Libisë, Palestinës dhe Turqisë për mbështetjen që qeveritë e këtyre vendeve dhe të gjithë anëtarët e Organizatës së Konferencës Islamike i dhanë rezolutës së paraqitur nga Shqipëria për Kosovën në Ministerialin e Damaskut, më datë 23-25 maj. Duke e konsideruar këtë rezolutë si sukses për organizatën dhe shprehje të solidaritetit të saj ndaj Kosovës, ministri Basha tha se ajo është e një rëndësie të veçantë, pasi, ndër të tjera, Organizata prej 57 shtetesh vlerëson se zhvillimet e fundit në Kosovë, pra pavarësia e saj dhe ndërtimi i institucioneve, kanë kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Z. Lulzim Basha vlerësoi gjithashtu gatishmërinë e shprehur nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës për të mbështetur Kosovën dhe ekonominë e saj dhe thirrjen që Ministeriali i Damaskut i drejtoi nëpërmjet rezolutës gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë të mbështesë forcimin e Kosovës. Gjatë bashkëbisedimit me ambasadorët, ministri i Jashtëm Basha, duke iu referuar edhe takimeve në Damask me homologët e tij, shprehu bindjen se miratimi i kësaj rezolute do t’i hapë rrugë njohjes të pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike. Rezoluta e paraqitur nga Shqipëria dhe e miratuar para pak ditësh në samitin e Damaskut nga 57 vendet e OKI-së, u bën thirrje vendeve anëtare të konferencës, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, të ndërmarrin një hap të tillë. Rezoluta, e votuar nga të gjitha vendet e OKI-së, edhe nga ata që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, demonstron se Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm dhe njohja ndërkombëtare e saj, një proces i pandërprerë. Republika e Kosovës është njohur nga 60 shtete, 13 nga të cilat vende të kësaj organizate dhe të tjera pritet ta njohin së shpejti. Rezoluta e Shqipërisë për Kosovën nxjerr në pah qartë se që nga shpallja e pavarësisë, më datë 17 shkurt 2008, Kosova ka bërë progres në ndërtimin e institucioneve demokratike; ka krijuar kuadrin e nevojshëm ligjor dhe institucional bashkëkohor; ka kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Më tej, kjo rezolutë, e cila është e para e miratuar nga OKI-ja që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u bën thirrje vendeve anëtare të Organizatës dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, që të vazhdojnë të mbështesin forcimin e Kosovës dhe ekonomisë së saj. Rezoluta ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OKI-së që në sesionet e radhës të ministrave të jashtëm të Organizatës të raportojë për dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu Kosovën në axhendën e përhershme të Organizatës së Konferencës Islamike. Miratimi i kësaj rezolute dëshmon për një klimë krejt të re në marrëdhëniet e OKI-së me Kosovën, e cila vjen pas njohjes mjaft të rëndësishme të saj nga Arabia Saudite para disa javëve dhe njohjeve nga Bahrejni, Gana dhe Unioni i Komoreve. Ajo ecën e sigurt dhe e vendosur përpara drejt konsolidimit të shtetit, zhvillimit ekonomik, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe integrimit në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›