KQZ-ja miraton regjistrin e donacioneve private
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje regjistrin përkatës që duhet të mbajnë partitë politike dhe ku duhet të regjistrojnë çdo dhurim fondi. Njëkohësisht u miratua edhe një deklaratë e posaçme, të cilën duhet ta firmosë çdo dhurues. Një qytetar nuk mund të dhurojë më shumë se 100 mijë lekë të reja për një parti, ndërsa një biznes nuk mund të dhurojë më shumë se 1 milion lekë të reja. “Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se tri ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së”, - thuhet në Kodin Zgjedhor. Njëkohësisht, partitë mund të financohen edhe nga biznese, por me disa kushte. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime.