Falsifikimi i radhës i diktatorit-karikaturë, R. Alia
Dr.Berisha: “Jemi një vend që kemi në fuqi ligjin kundër gjenocidit. R.Alia duhet të përgjigjet për masakrën e Tivarit”
Pyetja e parë që do t’i duhej t’i bëhej Ramiz Alisë nga cilido intervistues, do të ishte: - “A keni dëgjuar për një vendim të Asamblesë Parlamentare të Këshillit Europian për dënimin e krimeve të diktaturave, qofshin nazifashiste apo komuniste?”.
Kjo, sepse Ramiz Alia gjen shesh e bën përshesh, siç thotë populli. Jemi në prag të ngjarjeve të jashtëzakonshme për vendin tonë, të realizimit të vizave Shengen, pas hyrjes në NATO, dhe R. Alia na i bën sfidë komunitetit europian, me një libër të ri që s’ka asgjë të vërtetësisë historike, përveç propagandës komuniste të ish-sistemit diktatorial. Këtë ka bërë edhe me librat e tjerë të Kujtimeve, që në themel kanë idolatrinë për Enver Hoxhën dhe përligjjen e komunizmit.
Ky është, në fakt, mëkati më i vogël i R. Alisë, me ideologjinë e tij pas rënies së komunizmit, se “Shqipëria s’është as Lindje, as Perëndim”. Doemos është e kuptueshme që ai të ishte kundër Perëndimit, kur shqiptarë të panumërt dhe me zë të zjarrtë, bërtisnin me tërë fuqinë e shpirtit: „E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”!
Thamë se është në kategorinë e gjynaheve të vogla të atyre pak vetave që e qanë me lot të sinqertë E. Hoxhën që Ramizi, në bashkëveprim me Nexhmijen, arriti t’ia zërë vendin tiranit, që vdiq në vitin 1985. Sepse këtë propagandë të shpëlarë në dobi të ruajtjes së nostalgjisë antidemokratike, atij ia bënë peshqesh, veçanërisht, të gjithë uzurpuesit e zgjedhjeve të 29 qershorit të vitit 1997. Këto të ashtuquajtura zgjedhje, zgjedhje domenesh nën kërcënim kallashesh, zgjedhje tregishtorësh me flamuj të huaj, na prunë një pushtet tetëvjeçar, të ngarkuar me pasurime korruptive të menjëhershme, me trafiqe te mnershme të mishit të bardhë dhe të drogës, me ridaljen (pas tallonave të Enverit) të listave të zisë së bukës nëpër dyqanet, me legalizimin e P. Komuniste shqiptare, me fotot e Enverit në ministrinë e Jashtme, me ceremonitë e apoteozave të diktaturës në Pezë. Të gjitha këto mallkime të tetëvjeçarit, u thanë në mënyrë revoltuese nga vetë Rama, me përjashtim të atyre tri dukurive të fundit, që cenonin emrin e Enverit. Këto s’u përmendën nga mallkuesi hipokrit, se do të ishte vetë Rama, protagonist në vetë të parë të kapërcimit të Rubikonit, nga pseudoantikomunist i tërbuar, në Enverist të dorës së parë.
***
Në “Panoramën” e 2 qershorit të këtij viti, një intervistë me rastin e vigjiljes së promovimit të librit antidemokratik të Ramizit, shoqërohej me një titull të madh: “Masakra e Tivarit? Isha në Bosnjë”! Më pëlqen si titull. Nëntitulli ishte ky: “Ish-presidenti: Përgjegjës janë kosovarë e serbë që i nisën”. Ky është një krim i shëmtuar, që as nuk e lan, as e shpëlan dot Ramiz Alinë. Madje as nuk e përligj dot, në asnjë mënyrë, diktatorin Enver Hoxha i cili, vetëm për këtë mynxyrë, meriton të akuzohet për tradhti kombëtare, post mortem. Citimi i Enver Hoxhës që e ka quajtur këtë ngjarje si “krim të jugosllavëve”, është jo vetëm naiv, por edhe cinik. Prandaj e quajtëm këtë libër kujtimesh, si edhe të tjerët para këtij, thjesht si antihistorik. A e di komisari i Divizionit V se ç’i kishte thënë Enveri, në prani të Koçi Xoxes e të tjerëve, shifrantit Islam Kadesha, që i dorëzoi shifrën që kishte ardhur nga komanda e lartë e trupave partizanë në Mal të Zi, për masakrën e Tivarit? A mund të dërgohej një telegram i një rëndësie të tillë, që përmbante vrasjen barbare të më shumë se 4500 shqiptarëve, të cilët u morën kinse si të rekrutuar për luftë kundër okupatorit, pa firmën e R. Alisë ose, pa miratimin e tij, pavarësisht se ishte në Bosnjë? Në “Kujtimet” ndeshemi përpara budallallëkut tragjik se „krimin e kanë bërë jugosllavët“, një frazë perverse e thënë në kohën kur kundër jugosllavëve mund të thuheshin lloj-lloj trimërirash, ndërsa më parë Titos i blatohej edhe ofiqi i Sekretarit I të P.Komuniste shqiptare?
Në një tregim të Gani Mehmetajt, me titullin “Masakra e Tivarit” (botuar në “55”, më 6 qershor) shkruhet, me një stil letrar që të sugjestionon në çdo detaj të autorit, se nga kjo kasaphane kanë shpëtuar vetëm Lushi e Zefi, rrëfimi i të cilëve të lë pa gjumë. Kurse R. Alia, na e shfajëson Enverin dhe, si qefini pas të vjelit, na tregon se kujt i takon krimi! Po fshehja e krimit kujt i takon? Në një të përditshme tjetër („Tirana Observer“ e 5 qershorit), intervista hapet me këto fjalë: “Ramiz Alia tregon sesi e ka njohur Enver Hoxhën dhe rrëfen për gabimet dhe të mirat e komunizmit. Gabime janë këto që po shkruajmë në rreshtat e fundit? Sa për të mirat e komunizmit, Rikard Kapuçinski, që kritika e krahason me Gabriel Garcia Markuezin, e quan komunizmin si shkatërrimtarin e ndërgjegjes („Imperium“, f. 124, shqip). R. Alia le të shkruajë për „të mirat“ e komunizmit“, Por ndonjë ithtar i Dr. Gëbelsit nuk shkruan dot në Gjermani për „të mirat e nazizmit“, se përgjigjet penalisht! Vasili Grosman ka thënë se „Rusia ka parë shumë gjatë të një mijë vjetëve të ekzistencës së saj. Ajo nuk ka parë një gjë në një mijë vjetët e ekzistencës së saj, - lirimë“. Po aq e ka parë lirinë edhe Shqipëria, gjatë të dyzet e gjashtë viteve të komunizmit në vendin tonë, gjatë sundimit të Enverit gjer në vitin 1985 dhe gjatë sundimit të R. Alisë nga 1985-a gjer në vitin 1990.
Ish-Nacionalçlirimtari Prenk Gruda jep një panoramë të qartë në Ditarin e tij, përse vajtën forcat tona nën komandën e Ramiiz Alisë, në Mal të Zi e në Kosovë: „Megjithëse erdhën me flamur të shqiptarëve, populli nuk u gëzue aspak“ (5.12.’44). Autori i njeh me emër të gjithë komandantët e komisarët që vajtën për të shtruar shqiptarët nën sundimin sllav, - sipas Prenkës. „Më tha Haki Toska se Shefqet Peçi paska dalë në Prizren për me i ndihmue serbët me shtrue Kosovën (…). Më 13. 12.’44 erdhi koleneli jugosllav Stefo. Na tha (si luftar kundër okupuesve) që t’i themi popullit tonë të sillet mirë me jugosllavët dhe ta harrojnë për gjithmonë Shqipninë dhe kufijtë e saj. Nuk po kemi çka me ba veçse me durue me pak shpresë për ditë ma të mira. Si s’po shohin komunistat shqiptarë me kê janë vllaznue? …Po na e çojnë kombin në humnerë“. I thashë Gjin Markut se tash katër vjet, malazezët kurr nuk i kanë mësye Malsinat… Gjini mbeti shakull në mendime. Mandej u kthye e më tha: „Mbaje besën! Po flas me Tiranën. Pajtohem edhe unë me mendimet e tua, por s’mundem me vendosë as me ndryshue kurrgjâ. Po të kallëzoj, lum vëllau, se vendimet i pruni gati dhe na i parashtroi koloneli Stefo!“.
Më 26 dhjetor, lexojmë: „Me të gjitha këto prova armiqsore të malazezëve, Tirana po i thërret vllazën, ndërsa bijve të këtyne maleve kaq në za për shqiptarizëm, po u thotë reakcionarë e tradhtarë.
Mbledhje në Tuz (7.02.’45): U ndeshën me fjalë të tharta me Gjeneral Gjok Mirashoviçin, Millosh Rashoviçin dhe Vasa Popoviçin. Pastaj e mori fjalën Shefqet Peçi, që u tha malazezëve:
„Merrini këta derra reakcionarë e i bëni terbijet se Shqipërisë nuk i duhen gjë prej gjëje. Qé dajakun t’i rrihni e litarin t’i varni po qé se nuk ju duan dhe nuk vijojnë me ju, ndërtimin e socializmit!“. (Autori tanimë mundohet ta shprehet në toskërisht).
Zemrimi në Shefqet Peçin me shokë të tij shqiptarë, kaloi çdo kufi. Myzafer Spaho tha disa fjalë në anën tonë, por Shefqeti ia preu fjalën. Populli u revoltue shumë qi s’e la Komisarin me e vijue fjalimin. Nga zhurma kundër Shefqetit, qi deshti populli me e coptue, nuk u muer vesh çka tha Peçi. Në kët gjendje të trishtueshme, duel në shesh Pater Zefi:
-Ju malazezëve ju lumtë, se jeni atdhetarë e të squet; por si i paski zhburrnue e shkombëtarizue kaq për mnerë kuqanat shqiptarë? Armët s’jua dorëzojmë, mbasi po e shohim se ramë prap në kthetrat tuaja. Por ju, o të mallkuemit e Shqipnisë! Si nuk paski mendue paksa për historí tuej të zezë? Mjera Shqipni në duer tueja dhe medet për ne, për ju!“.
I themi Ramizit se këtu e ka portretin e Shefqet Peçit, për të cilin është shkruar një goxha libër i trashë nga një komunist si vetë Ramizi! Dhe ta mbajë vath në vesh, se edhe ai është “i zhburrëruari!”, që përmend Pater Zefi.
Më 15 mars shkruhet për Haki Tahën, që autori e quan hero. Vepra e tij e vrasjes së Miladin Popoviçit, me vetëflijim të jetës së vet – kuptohet, - do të donte të përmendej me nderim nga demokracia jonë e re. Disa shkrime, me raste përkujtimore, i ka shkruar „55-a“. Por komunistët e kanë lënë në harresë. Veçse e motra e autorit të cituar, Age Gruda, ish-anëtare e K.Q. të P.K. krahinore të Kosovës, dorëzoi librezën!
* * *
E pamë në ç’kontekst “historik” kërkon ta paraqesë Ramiz Alia këtë njollë të zezë të komunizmit shqiptar. Por doktor Berisha e akuzoi ish-kreun e fundit komunist dhe ish-presidentin Ramiz Alia si një personazh që duhet të përgjigjet për Masakrën e Tivarit, se ajo është bërë me dijeninë dhe me miratimin e tij. Dhe vijon: “Masakra e Tivarit është krimi më monstruoz, i kryer në Gadishullin e Ballkanit, gjatë Luftës II Botërore, është një Katin i dytë”.