Kur çertifikimi i vlerave intelektuale të shqiptarëve, vjen edhe nga ikona “ENA”
Dhe janë bangat e shkollës llogoret apo bedenat për këdo që kërkon të dalë nga burgu legal i antivlerave, duke kërkuar të jetë denjësisht pjesë e minorancës që drejton mbarë shoqërinë. Uria për dije e shqiptarëve është vërtetuar dhe tashmë është bërë shpesh objekt debatësh edhe nëpër auditoret jashtë vendit ku edhe studentët tanë po masin forcat me moshatarët e tyre, anemabanë botës. ENA (Shkolla Kombëtare e Administrimit) ose siç quhet ndryshe pas shpërnguljes në Strasburg, Shkolla e Qeverisjes Evropiane, njihet si njëra ndër shkollat më prestigjioze në Evropë e më gjerë, për formimin dhe kualifikimin e zyrtarëve të nivelit të lartë. Ajo u krijua në vitin 1945 nga Sharl de Gol në kuadrin e reformës së administratës publike dhe të rekrutimit të zyrtarëve për funksionet e larta publike. Krijimi i kësaj shkolle i ktheu funksionet e larta të shtetit, nga atribute thjesht politike, në një profesion të mirëfilltë të menaxhimit dhe qeverisjes publike.
Gjithashtu, me krijimin e ENA-s u unifikuan standardet e kualifikimit, të përzgjedhjes dhe të punësimit në administratën e shtetit. Që atëherë, me qindra personalitete të politikës franceze si Jacques Chirac, Eduard Balladur, Dominique de Villepin, Girard d`Estaing, Alain Jupé, presidentë të organizatave te rendesishme ndërkombëtare si Pascal Lamy (Organizata Botërore e Tregtisë), Jean Claude Trichet (Presidenti i Bankës Evropiane Qendrore) dhe liderë të mendimit, si Jacques Attali, Gabriel De Broglie etj, kanë dalë nga dyert e kësaj shkolle.
Krahas formimit teorik me profesorët më prestigjiozë të Francës, ENA ofron mundësinë e integrimit në stazhe dhe praktika profesionale në institucionet e administratës franceze, në ato të Bashkimit Evropian si dhe në Organizata Ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, UNESCO etj. Konkursi i pranimit në ENA është një ndër ëndrrat e më të guximshme të çdo studenti francez. Kusht për të hyrë në konkurs është pasja e një diplome universitare, si dhe ndjekja e klasave përgatitore që zgjasin nga një deri në dy vjet. Konkursi në vetvete është tejet përzgjedhës dhe përmban 5 provime me shkrim, një provim me gojë dhe atë që quhet Le Grand Oral, i cili është një përballje prej 45 minutash me jurinë përzgjedhëse. E veçanta e ENA-s është që kontigjenti i cili arrin t’ia dalë mbanë në konkurs është i destinuar për funksionet më të larta të shtetit ku kandidatët i zgjedhin postet në bazë të rezultateve të tyre. Një ndër kritikat që i është bërë vazhdimisht ENA-s është pikërisht karakteri i saj elitar dhe tejet përzgjedhës, ku dominon stereotipi që të gjithë enarque-t kanë monopolin e posteve të larta politike dhe çelësat e artë të biznesit. Mbase pikërisht për shkak të prestigjit dhe statusit të saj elitar, asnjë shqiptar nuk kishte kapërcyer pragun e ENA-s deri në vitin 2007.
Por edhe siç e dihet ky vend më së fundmi edhe ajo bankë idesh dhe vlerësim i potencialit individual, më së fundmi u eksplorua me sukses nga katër shqiptarë. Me trofeun e diplomës së ENA-s, dy të fundit sapo janë diplomuar në 28 prill 2010. Ata janë Roland Bejko, Venera Domi, Edit Dibra dhe Besim Mulaj. Sikundër çdo vit, ENA shpall konkursin për nëpunës civilë nga gjithë vendet e botës. Bëhet fjalë për tre programe kualifikimi, përkatësisht për Ciklin e Gjatë Ndërkombëtar, Ciklin e Shkurtër Ndërkombëtar dhe për ciklin Ndërkombëtar për Administrim Publik. Konkursi, në të cilin marin pjesë përfaqësues të të gjithë institucioneve të administratës shqiptare, u krye nga përfaqësuesit e ENA-s pranë ambasadës të Francës në Tiranë dhe testet me shkrim u korrigjuan në Francë.
Më pas një konkurs me gojë u krye nga Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë i ENA-s, që dha edhe verdiktin e vazhdimësisë. Krahas praktikës, shumë e çmuar për studentët tanë ka qenë edhe vizita studimore që ata patën rastin të bëjnë në Presidencën franceze, në Këshillin kushtetues, Asamblenë Kombëtare si dhe vizita në Parlamentin Evropian, Komisionin Evropian, Gjykatën e Drejtave të Njeriut, Këshillin e Evropës. Statusi ynë, shprehen ata, kërkon që ne të jemi ambasadorë dhe përcjellës të vlerave jo vetëm të ENA-s, por të Francës dhe më gjerë, të Bashkimit Evropian. Fakti që qeveria shqiptare po reflekton dhe po shqyrton projektin për krijimin e një Universiteti të Administratës Publike dëshmon për ndërgjegjësimin e saj mbi rëndësinë e një institucioni të tillë për formimin dhe kualifikimin e administratës shqiptare. Ne jemi të gatshëm të japim konktributin tonë jo vetëm në hartimin e këtij projekti, por dhe më tej, në vënien në zbatim të tij. Krahas diplomës për administrim publik, ata patën fatin të ishin edhe pjesëmarrës në një program shumë të rëndësishëm, i cili edhe u dha privilegjin për të përhapur dhe promovuar në Shqipëri kulturën dhe traditën e Alsasës.
Edit Dibra ka mbaruar të gjitha studimet e larta në Paris, si dhe ka punuar në Kabinetin e Ministres Majlinda Bregu, ku ka bërë të mundur njohjen e vlerave dhe të reputacionit të jashtëzakonshëm të ENA-s, në fushën e Administrimit Publik. “Në radhë të parë mendoj shprehet ajo, se një ndër objektivat kryesorë të shkollës ishte gjetja e esenciales së çdo problemi në një afat sa më të shkurtër”. Gjithashtu asaj i ka bërë shumë përshtypje ekuilibri që ekzistonte mes aspekteve të ndryshme të kualifikimit. “Shumëllojshmëria dhe cilësia e mësimit që na është ofruar nga personalitetet më të njohura në Francë i ka konsoliduar njohuritë tona mbi jetën politike në Francë, mbi funksionimin e institucioneve evropiane si dhe problematikat e marrëdhënieve ndërkombëtare. Praktika pranë Drejtorisë së BE-së, në Ministrinë e Punëve Jashtme dhe të çështjeve Europiane në Paris, ka mundësuar të kemi një vizion praktik mbi administratën franceze dhe evropiane. Gjithashtu jemi njohur me studimet e rasteve, simulacionet e ndryshme në rastet e negociatave, lobingjeve dhe gjeopolitikës”, shprehet Editi, e cila tashmë është rikthyer më nervin e kalitur për një administratë dhe punë më përgjegjëse si specialiste e fushës. Mundësitë që ofron ENA, duke krijuar kontakte me persona vendimmarrës politik dhe ekonomik në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Paris, në institucionet ndërkombëtare si dhe në Strasbourg, madje Edit Dibra është emëruar gjithashtu Ambasadore e Alsasës në Shqipëri. Përvoja jonë besoj, do të jetë thjesht një shtysë më shumë për të rinj të tjerë, të cilët duhet të aplikojnë dhe të zgjedhin si kalanë e tyre të ardhshme pikërisht ENA, vendin ku mjaft politikanë kanë shtruar mendimet e tyre për vetën, por edhe për kombet që ata përfqësojnë.