E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë është, dhe s’është, lëshim

Fabula, “të hapen kutitë”, u krijua me synimin e shndërrimit të politikës, në një dramë qeverisëse për vendin. Përgjigja, ndaj kësaj gjetjeje, të adresuar gabim, qe “kutitë s’hapen”. Kaloi plot një vit trallisjesh, për prishjen e motit të madh të integrimit të shqiptarëve në Bashkimin Europian, deri te darka në rastorantin “Crocodile”, në Strasburg, te dyjavëshi si kohë e njoftuar, dhe ujdia ende nuk është gjendur. Nga sa u bë e u tha, këtu ndër ne dhe me ndërkombëtarët, çfarë është, dhe s’është, kompromis?
Pozita në koalicion, për gati dymbëdhjetë muaj, nuk ka pushuar së ftuari opozitën, “ejani në kuvend” për zgjidhjen e ngërçit me dialog. E majta prapsoi çdo ftesë dhe zgjidhjen provoi ta kryente jashtë kuvendit. Pas darkës në “Crocodile”, edhe opozita shqiptoi ndonjë thirrje, por me përfundimin e dyjavëshit të parathënë, ftesën për kompromis ajo e bashkëshoqëron me kërcënimin e nisjes prapë të protestave.
Sidoqoftë, në çfarë rrafshi janë vendosur forcat politike? Pozita në koalicion qeverisës, përballë një opozite të zemëruar nga drama për pushtet brenda Partisë Socialiste, është konkrete për çfarë ajo lëshon, për një kompromis të mundshëm.
Sepse, lëshime domethënëse janë: 1. Dhënia opozitës të shumicës në komisionin hetimor parlamentar për kryerjen e transparencës së zgjedhjeve të shkuara. 2. Dhënia opozitës e kryetarit të komisionit hetimor për bërjen e transparencës së zgjedhjeve të fundit. 3. Dhënia opozitës e të drejtës për hartimin e të gjitha amandamenteve për kodin zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme. 4. Pozita t’i votojë pa kushte të gjitha ato amandamente, pasi te merret mendimi i Komisionit të Venecies apo ODHIR-it.
Por nuk janë lëshime asfare: 1. Ndërprerja e bojkotit e opozitës. Pjesëmarrja në kuvend e deputetëve socialistë përbën detyrimin përfaqësues të tyre ndaj zgjedhësve dhe ligjit. 2. Ndërprerja e grevës së urisë nuk ishte lëshim, por qe përdorje e plotë e një proteste të skajshme për të arritur qëllime politike jashtë procesit zgjedhor të certifikuar. 3. Kërkesa e saj ndesh me kushtetutën, për hapjen e kutitë e votimit, përbën nëpërkëmbje të ligjit bazë të shtetit, për interesa të pjesëshme brenda partisë. 4. Mospranimi i kodit zgjedhor për këtë çështje, edhe pse i hartuar nga vetë opozita, është shpërfillje e marrëveshjes mes dy partive dhe vendimit të kuvendit me numërin më të madh të votave.
Ca muaj më parë, të gjitha këto dukeshin të turbullta e turbullonin, sepse situata politike u mbizotërua nga bojkoti i kuvendit dhe çadrat e grevës së urisë, që të dyja përzgjedhur për t’u kryer, në kohën dhe vendin më të gabuar. Pas futjes së opozitës në kuvend, jo si herën e parë, me lojën hyr një orë dil një javë, por që nga darka në “Crocodile”, edhe pse ende nuk ka ndonjë marrëveshje pozitë - opozitë, ndodhi diçka e madhe që, Komisioni Europian iu përgjigj paktit të Bashkimit Europian me shqiptarët dhe meritës për reformat e kryera, duke propozuar heqjen e vizave për Shqipërinë, dhe diçka e vogël, situata politike, megjithëse pa zgjidhjen e kërkuar, ka shenja qetësimi. Konflikti, i sajuar dhe mbajtur gjallë qysh prej një vit, po merr trajtat e një furtune në pak ujë, brenda një gote të stërmadhe, duke e mbështjellë me fjali për përkryerjen e zgjedhjev që vijnë. Nga kjo e keqe mund të nxirret kumti që vlen: shqiptarët dhe bota e rrokën dhe e dinë që, në zgjedhjet vendore të afërta e në ato të përgjithshme pas tri vitesh, të gjitha forcat politike janë të detyruar t’i japin vendit zgjedhje të standartit europian, për t’u përputhur me synimin e anëtarësimit në BE.
Shumica në koalicionin qeverisës i ka shtjelluar lëshimet e saj për kompromis. Opozita nuk ka paraqitur lëshimet, duke i qendruar pikëpamjes se s’ka kompromis pa hapjen e kutive. Opozita ka hyrë në kuvend, dhe kjo është e vlefshme, por s’ka dalë nga kutia, dhe kjo mbetet penguese. Shenjë trysnie është edhe dialogu “3” me Shqipërinë, nëse të parit, më 2005 i vihet numri 1, si i pari që ishte, numri dy, atij për nisjen e protestave tashmë të kryera. Nëse nga ky qendrim Shqipëria, sidoqoftë, u dëmtua - ajo nuk u dëmtua nga zgjedhje që u cilësuan më të mirat e kryera në vend - brenda opozitës ka pasur dy risi të qarta: kryetari i Partisë Socialiste i forcoi pozitat e tronditura dramatikisht, dhe të forta do t’i mbeten, deri varur nga rezultati i zgjedhjeve vendore që vijnë. Ndërkohë, edhe pse me një kauzë të humbur, përfitimi i marrë ishte i dyfishtë: me të u krye përzgjedhja brenda partisë duke çfaktorizuar kundërshtarët dhe, partia u fut në një stërvitje politike me ngarkesë të plotë, të domosdoshme për të penguar pasojën vetjake nga humbja e zgjedhjeve që shkuan, por shumë përpara kohe për zgjedhjet e pritshme. Vërtetë Shqipëria pësoi dëme nga kjo, por edhe Partia Socialiste iu nënshtrua një lodhjeje rraskapitëse të pazgjuar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›