E Diel, 1 Nëntor 2026

Falsifikimi i targave,sekuestrohen 40 dosje

 

TIRANE- Funksionarët e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor të arrestuar nga policia dy ditë më parë, dyshohet se kanë kryer pajisjen me targa të automjeteve të trafikuara. Për këtë qëllim, dosjet e më tepër se 40 automjeteve të targuara gjatë katër muajve të fundit janë sekuestruar nga hetuesit, me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së tyre. Dokumentacioni i mjeteve mësohet se do të verifikohet nëse janë deklaruar të vjedhura jashtë vendit, apo nëse pronarët e këtyre mjeteve iu janë shmangur detyrimeve doganore, duke falsifikuar dokumentacionin e zhdoganimit. Ky fakt është bërë i ditur për gazetën "Panorama" nga burime të hetimit, të cilët kanë pohuar se dosjet përkatëse janë tërhequr në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Hetuesit e seksionit të Antikrimit Ekonomik pritet të kryejnë veprimet hetimore në dogana për të verifikuar rregullsinë e dokumentacionit të tyre. Po kështu verifikimet pritet të kryhen edhe nëpërmjet Interpolit, për të zbuluar nëse ndonjë prej tyre rezulton e vjedhur jashtë vendit. Të mërkurën në mesditë, policia e kryeqytetit ndërhyri në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor, duke ndaluar 12 persona, nga të cilët një prej tyre mbeti me arrest shtëpie. Nga të arrestuarit 6 persona ishin funksionarë të sektorit të dhënies së lejeve të drejtimit dhe 6 të tjerë ishin funksionarë të seksionit të pajisjes së mjeteve me targa. Silvana Memia, 46 vjeçe, arshiviste; Bejsana Belli, 27 vjeçe, sekretare e regjistrimit të mjeteve; Daniel Cami, pranues dokumentesh pranë seksionit të kolaudimeve; Feride Kateshi, 38 vjeçe; Adrian Rushiti, 35 vjeç dhe Shpresa Marashi, 38 vjeçe, operatore, janë arrestuar nga policia me akuzat e falsifikimit të dokumenteve si dhe korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike. Këta persona dyshohet se kanë kryer edhe regjistrimet e mjeteve dhe më pas ato janë pajisur me targa kundrejt pagesave të majme deri në 1000 euro.                             d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›