E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnjë, invalidi trafik klandestinësh nga karrigia

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatë dosjen penale kundër një grupi kriminal të akuzuar për trafik klandestinësh nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Mes të pandehurve ndodhet Pëllumb Guri, i sëmurë paraplegjik, i cili është hetuar në gjendje "arresti në shtëpi" për shkak të problemeve shëndetësore, të cilat gjithsesi nuk e kanë penguar të organizonte grumbullimin e klandestinëve nga qytete të ndryshme të vendit, transportimin e tyre drejt Sarandës e Gjirokastrës dhe trafikimin në Greqi. Të pandehurit e dosjes u arrestuan në kuadër të operacionit policor "Butrinti II" me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda më 21 korrik 2008. Në tre raste bazuar në përgjimin e bisedave telefonike, agjentët e policisë kanë arritur të ndalojnë grupet e klandestinëve që ishin grumbulluar dhe po transportoheshin nga të pandehurit për në jug të vendit, me qëllim kalimin për në Greqi. Sipas të dhënave hetimore, mësohet se më 6 prill 2008, të akuzuarit në bashkëpunim kanë organizuar nisjen e pesë klandestinëve nga Tirana në drejtim të Konispolit për kalim të paligjshëm në Greqi, por janë ndaluar nga policia që ishte vënë në ndjekje të tyre para se klandestinët të kalonin kufirin. Më 8 korrik 2008, vetëm pak ditë para arrestimit, të pandehurit akuzohen se kanë tentuar të trafikojnë katër klandestinë të tjerë, që përsëri u bllokuan nga policia në Sarandë duke ndaluar kalimin e tyre nga kufiri jugor në drejtim të Greqisë. Nga të dhënat e hetimit, mësohet se më 24 prill 2008 të akuzuarit kishin tentuar të trafikonin edhe një grup tjetër klandestinësh me tetë persona, që janë ndaluar në ndjekje e sipër nga policia në qytetin e Gjirokastrës. Sipas Prokurorisë, personi që gëzon statusin e invalidit, Pëllumb Guri, rezulton i implikuar në trafikimin e klandestinëve, pasi përmes telefonit me anë të personave të njohur të tij, bënte grumbullimin e të interesuarve e më pas organizonte transportimin e tyre në drejtim të jugut të Shqipërisë për të kaluar në Greqi. Prokuroria mësohet se ka zbardhur një sërë telefonatash të përgjuara mes të pandehurve që prezantohen me pseudonime të ndryshme si "Nardi", "Jevgu", "Fanja", "Tani", "Çelo" apo "Gori". Të akuzuarit në bashkëpunim edhe me persona të tjerë akuzohen se kanë kaluar drejt Greqisë më tepër se 72 klandestinë, që kanë arritur t'i shpëtojnë policisë. Prokuroria ka zbardhur edhe pagesat që merrte secili nga të pandehurit, pasi ata ishin shpërndarë në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe sipas pozicionit të vendqëndrimit, bënin grumbulluesin, sekserin, transportuesin apo udhërrëfyesin për kalimin e klandestinëve në Greqi. Hetimi ka zbuluar transferta bankare që tregojnë për pagesat që merrte secili anëtar i grupit në përputhje me "punën" që kishte bërë.

Të akuzuarit

PËLLUMB GURI
RESUL ÇELA
IRFAN DALIPAJ
BARDHI PRODA
NINO (Rivelino) TUSHE
Akuzat
"Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit"në bashkëpunim në formën e "grupit të strukturuar kriminal"

"Kryerje të veprave nga grupi i strukturuar kriminal"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›