Prokurorët: Drafti kërcënim serioz
Trazhgim Sokolaj
Prokurorët kundërshtojnë projekt-draftin e miratuar tri ditë më parë në Qeveri. Ata kritikojnë nene të veçanta të projektligjit "Për Prokurorinë", të cilat sipas gjykimit të prokurorëve përbëjnë rrezik eventual për organin e akuzës. Sipas prokurorëve, me këtë draft ata janë të pambrojtur nga shkarkimet e padrejta nga detyra dhe nga veprimet arbitrare të organeve në varësi të Qeverisë. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shoqatës së Pro-kurorëve, refuzuan dje të shprehen publikisht për draftin, duke konfirmuar se nuk zotërojnë një kopje të dokumentit të miratuar në Qeveri. "Derisa nuk jemi njohur zyrtarisht me përmbajtjen e draftit dhe të neneve, nuk mund të bëjmë asnjë koment", thonë burimet zyrtare. Sipas tyre, Prokuroria e Përgjithshme dhe Shoqata e Prokurorëve, janë në pritje për t'u njohur me draftin, që kaloi në Qeveri e më pas për t'u thirrur në Komisionin e Ligjeve, ku kritikat do të artikulohen zyrtarisht. Megjithatë, në Prokurorinë e Përgjithshme por edhe në Prokurorinë e Tiranës e cila heton 1/3 e dosjeve në shkallë vendi, reagimet për projektligjin që miratoi qeveria, nuk mungonin. Prokurorët të cilët pranojnë se janë njohur me përmbajtjen e projektligjit vetëm nga sa ka publikuar media, e konsiderojnë të rrezikshëm dhe shqetësues, nenin 17 të draftit.
Nenet që kundërshtohen
Ai parashikon shprehimisht: "Kundër masës disiplinore "shkarkim nga detyra", prokurori mund të bëjë ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë, ndërsa prokurori pranë kësaj gjykate, në Gjykatën e Apelit më të afërt. Kur gjykata çmon se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, ajo vendos t'i japë prokurorit, nëse është e nevojshme, një shpërblim të drejtë". Pra, neni i vetëm në draft që flet për këtë pikë, nuk ua garanton prokurorëve rikthimin në detyrë edhe në rast se shkarkimi i tyre konfirmohet si i paligjshëm në gjykatë. E vetmja garanci që u jepet prokurorëve të shkarkuar padrejtësisht nga detyra, është "një shpërblim të drejtë". Përfaqësuesit e akuzës thanë se përmbajtja e këtij neni do të shkaktojë debate të forta në Komisionin e Ligjeve ku zyrtarisht do të artikulohet mospranimi i tij. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e akuzës, e shikojnë problematik edhe nenin e draftit, që përcakton se çdo vit ministri i Drejtësisë paraqet në Parlament raportin e inspektimeve në Prokurori dhe prokurori i Përgjithshëm ka të drejtën e replikës. Sipas prokurorëve, ky nen, rrezikon të bëhet shkak, që kryeprokurori i vendit të përfshihet në debate politike në Parlament me ministrin e Drejtësisë apo faktorë të tjerë parlamentarë.
Diskriminimi
Prokurorët shprehen se drafti që kaloi në Qeveri është diskriminues ndaj tyre, madje ai nuk garanton të drejtat kushtetuese. "Drafti hoqi imunitetin e prokurorëve, heq edhe të drejtën e kthimin në punë në rast shkarkimi të padrejtë. Kjo nuk është as më shumë as më pak, sesa ekspozim i prokurorit ndaj veprimeve arbitrare, që mund të bëjnë organet në varësi të ekzekutivit, policia që mund të ndalojë apo arrestojë dhe Ministria e Drejtësisë, që i ka dhënë vetes të drejtën të propozojë masa ndëshkimore ndaj prokurorëve, duke i paraqitur ato edhe në Parlament e më pas tek Prokurori i Përgjithshëm", thanë përfaqësuesit e akuzës. Sipas tyre, drafti është diskriminues, për shkak se gjyqtarëve me ligj u është dhënë e drejta të ankohen në gjykatë, në rast shkarkimi dhe nëse ai konsiderohet i padrejtë, atëherë ata rikthehen në detyrë. "Për gjyqtarët kjo është garantuar ndërsa prokurorëve u hiqet kjo e drejtë kushtetuese", vijojnë më tej përfaqësuesit e organit të akuzës. Sipas tyre, në fazën e diskutimeve paraprake misioni EURALIUS kishte kërkuar zgjidhje konsensuale për çështjen e heqjes së imunitetit, ndërsa misioni amerikan OPDAT, kishte kërkuar zbatimin e Kushtetutës në rastet e shkarkimeve të padrejta të prokurorëve, duke i kompensuar në raport me dëmin që u është shkaktuar.
Firma e Presidentit, jo në Gjykatën e Apelit
TIRANE - Një dokument i hartuar nga prokurorët Zamir Shtylla dhe Kujtim Luli ndodhet bashkëngjitur draftit, që Ministria e Drejtësisë çoi në Qeveri për ligjin e Prokurorisë. Dokumenti i firmosur nga dy prokurorët, që ishin anëtarë të grupit të punës, përmban dhënien e mendimeve nga organi i akuzës për përmbajtjen e projektligjit. Në shkresën zyrtare janë dhënë mendime për tetë nene gjithsej dhe po të shikohet më vëmendje, gjithçka kanë artikuluar prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, janë vetëm kundërshtime për projektin e Ministrisë së Drejtësisë. Në asnjë paragraf të firmosur nga dy prokurorët, nuk ka aprovim për ndonjë nen të draftit po vetëm kundërshtime dhe propozime për ndryshim. Në të njëjtën linjë duket se janë shumica e prokurorëve. Ata thonë se emërimi i tyre bëhet me dekret Presidenti pas propozimit të prokurorit të Përgjithshëm. Pra, emërimi i prokurorëve është një procedurë, që ka të bëjë me dy persona dhe dy institucione, Prokurori i Përgjithshëm dhe Presidenti, përfshi dhe diskutimet që mund të zhvillohen në Këshillin e Prokurorisë. E njëjtë është edhe procedura e shkarkimit, e cila bëhet realitet me dekret të Presidentit. Prokurorët thonë se pikërisht dekreti i kreut të shtetit, qoftë edhe për shkarkimin e tyre, është e panatyrshme të ankimohet në Gjykatën e Apelit, pasi kjo është një gjykatë më e ulët sesa Gjykata e Lartë, ku gjyqtarët kanë të drejtën të ankohen për dekretet e Presidentit për shkarkimin e tyre. Dallimet duken të qarta edhe për shkak se procedura e shkarkimit të një gjyqtari, fillimisht kërkon heqjen e imunitetit, më pas debat dhe votim nga të gjithë anëtarët e KLD-së, vendim me shumicë votash dhe në fund, dekretimin nga Presidenti. Pra, shkarkimi i gjyqtarëve është një procedurë më demokratike dhe e shpërndarë në më shumë aktorë, sesa rasti i shkarkimit të prokurorëve, të cilët gjithsesi nuk kanë të drejtë rikthimi në detyrë edhe nëse shkarkohen padrejtësisht. tr.so
Shoqata e Prokurorëve: Presim komisionin
I kontaktuar përmes telefonit, sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prokurorëve Shkëlqim Hajdari, tha se ky organizëm dha kontributin e tij bashkë me Prokurorinë e Përgjithshme, gjatë fazës së diskutimit të draftit në Ministrinë e Drejtësisë. Ai shtoi se aktualisht Shoqata e Prokurorëve nuk mund të komentojë, për shkak se nuk zotëron kopje të draftit të kaluar në Qeveri dhe se nuk dëshiron të politizojë diskutimet, por do t'i realizojë ato në rrugë institucionale. Shoqata ka thirrur një mbledhje të Komitetit Drejtues, i cili do të përcaktojë qëndrimin që do të mbahet. "Jemi në pritje të Komisionit të Ligjeve për t'u njohur me projekt-draftin, si dhe për t'u dëgjuar në diskutimet që do të zhvillohen aty", tha prokurori Hajdari.
PS-LSI kundër ligjit të Prokurorisë
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ndajnë të njëjtin qëndrim sa i takon ligjit për prokurorinë. Kryetarja e Grupit Parlamentar socialist, Valentina Leskaj tha dje se PS nuk mund të votojë një ligj që ul pavarësinë e prokurorisë. "Ne jemi gati për të kontribuar e dhënë konsensus për një ligj të ri, që forcon pavarësinë kushtetuese e financiare të prokurorisë, që rrit efektshmërinë e saj në hetimin e krimit e të korrupsionit, por kurrsesi për një ligj që e kufizon pavarësinë e organit të akuzës dhe prodhon trysni mbi prokurorët. Reforma në drejtësi, s'mund dhe s'duhet mbyllur në rrethin vicioz të interesave politike të palës që qeverisë. Pasi kështu thjesht nuk mund të bëhen reforma", tha Leskaj. Ndërsa deputeti i LSI-së, Spartak Braho, anëtar i Komisionit të Ligjeve, tha dje se "varianti i ri nuk ka ndryshim nga ai i mëparshmi, i cili u kundërshtua nga LSI fuqishëm, por edhe vetë Prokuroria e Përgjithshme, komuniteti i gjerë i juristëve, i specialistëve të EURALIUS-it, OBDATI-it, si dhe direkt nga përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane". "Ky ligj prek rëndë pavarësinë e organit të prokurorisë, prek dhe cenon mbrojtjen e prokurorëve, i lë ata në mëshirën e politikës hakmarrëse të maxhorancës, dhe të deliguentëve të krimit të rrugës, prek strukturat vendimmarrëse të Prokurorisë së Përgjithshme, eliminon rolin e presidentit, nëpërmjet suprimimit të përfaqësuesit të tij në Këshillin e Prokurorisë, etj.. “, tha Braho.