E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falsifikoi emrin, kapet shqiptari i dënuar

Një shqiptar ka rënë në pranga në Itali, pasi ishte shpallur në kërkim për shmangien e dënimit me burg prej pesë vitesh e tetë muajsh. Media italiane bëri të ditur dje se policia kufitare e Brindizit ka vënë në pranga 36-vjeçarin e kërkuar Artur Zotaj. Ai ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Kremonës për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata e të njëjtit qytet. Sipas burimeve zyrtare të policisë italiane, Zotaj ishte paraqitur në polici me emër të rremë. Policia deklaroi njëkohësisht se ai ishte identifikuar fillimisht si Artan Zotaj. Por pas dyshimeve dhe verifikimeve të hollësishme, rezultoi se bëhej fjalë për një tjetër person, i dënuar nga drejtësia italiane. Ndërkaq që gjatë kontrollit i është gjetur dhe një patentë e drejtimit të makinës, e falsifikuar. Ai ishte ndaluar pasi kishte hyrë në Itali në mënyrë të jashtëligjshme dhe tani duhet të vuajë dënimin 5 vjet burg, ndërkohë që do të gjykohet edhe për mbajtje të dokumenteve false.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›