E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një i vdekur dhe dy të plagosur në rrugë

Një i vdekur dhe dy të mitur të lënduar, është bilanci i tre aksidenteve të ndodhur dje në Shkodër dhe në Sarandë. Ngjarja më e rëndë rrugore është regjistruar dje paradite në aksin rrugor nacional Shkodër-Koplik. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Shtoj, 4 kilometra pa hyrë në qytetin e Shkodrës. Viktima e këtij aksidenti mësohet të jetë 55-vjeçari Zenel Bruçaj, banues i fshatit Shtoj, i cili ka qenë duke ecur me biçikletë në momentin që është përplasur nga një automjet në ecje. Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke e lënë të aksidentuarin në mes të rrugës pa i dhënë ndihmën e parë. Kalimtarët e rastësishëm i kanë dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit, por gjithçka ka qenë e kotë, pasi 55-vjeçari ka ndërruar jetë pak minuta pas përplasjes. Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat janë vënë në ndjekje të makinës që ka shkaktuar aksidentin, por për momentin nuk është bërë identifikimi dhe kapja e autorit.

Ndërkohë në Sarandë dy aksidente rrugore kanë përfunduar me plagosjen e dy fëmijëve. Në ngjarjen e parë, një vajzë 8-vjeçare me inicialet S.P., banore e Sarandës është vënë përpara nga një motoçikletë. Burimet spitalore thanë se për shkak të përplasjes nga motori ajo ka marrë goditje dhe dëmtime serioze në kokë, dhe kjo ka kërkuar transportimin e saj me helikopter për mjekim më të specializuar në kryeqytet. Po dje ka ndodhur edhe aksidenti i dytë, në afërsi të fshatit Bajkaj të Delvinës. E lënduara ka qenë një vajzë 10 vjeçe, me iniciale E.N., nga qyteti i Gjirokastrës, e cila ka marrë goditje më të lehta në trup nga përplasja me një autoveturë. Burimet policore thanë se shkaktar i aksidentit ka qenë 30-vjeçari Ermal Isufi, me automjetin e tij "Tipo", me targa të Delvinës, i cili është ndaluar nga uniformat blu.

Ar.Ho./Tho.Ni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›