E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shamikuqja", tetë shqiptarë në pranga për drogë

Policia italiane e Modenas godet një organizatë kriminale, kryesisht e përbërë nga shqiptarë, të akuzuar për trafik lëndësh narkotike. Operacioni i koduar "Shamikuqja" finalizon hetimet që kishin nisur dy vjet më parë. Parmbrëmë për gjithë natën, në pranga ranë tetë persona. Grupi i shqiptarëve vepronte në Emilia Romanja dhe Italinë Veriore dhe çdo javë shpërndante sasi të konsiderueshme droge, në tregun e vendit fqinj. Mediat italiane, që i referohen burimeve zyrtare, njoftojnë se një nga drejtuesit kryesorë të organizatës u kap në Republikën e San Marinos.

Ndërkohë po nga mediat e vendit fqinjë njoftohet se edhe pesë shqiptarë u arrestuan në një operacion antidrogë të policisë italiane zhvilluar në provincat e Trevizos dhe Venecias.

Policia sekuestroi një kilogram kokainë, një pistoletë, një makinë dhe mijëra euro të fituara nga shpërndarja e drogës.

Sipas të dhënave nga policia, arrestimi i pesë shqiptarëve është kryer pas hetimeve të nisura në këtë fillim viti. Hetimi i adresohej një grupi të dyshuar për shpërndarje droge, i cili vepronte kryesisht në provincat e Venecias dhe Trevizos dhe në veçanti në Jesolo.

Hetuesit thanë gjithashtu se pjesëtarët e kësaj organizate, përveçse veprimtarisë së trafikut të drogës, çonin në Itali vajza të reja, të cilat i detyronin me dhunë të prostituoheshin.

Në pjesën më të madhe të rasteve, vajzat e trafikuara kanë qenë minorene me origjinë rumune, raportuan mediat italiane.

Gjatë operacionit "Shamikuqja", policia tha se ka arrestuar edhe dy tunizianë me lidhje fisnore mes tyre. "Njëri nga këta persona u kap në kushtet e flagrancës, duke shitur drogë", thanë burimet zyrtare të strukturave blu në vendin fqinj. Sipas tyre, mes klientëve të rrjetit ka pasur shumë biznesmenë italianë dhe pronarë lokalesh të zonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›