Falsifikon aktet së bashku me noterin për të marrë pasaportën e vajzës, arrestohet
19/03/2005 Ka falsifikuar aktet noteriale për të pajisur me pasaportë të bijën, pa pëlqimin e saj, arrestohet. Gjithashtu fillon ndjekja penale në gjendje të lirë edhe për noterin, që ka mundësuar këtë falsifikim. Sazan Hysenllari, 44 vjeç, banues në Tiranë është prangosur dy ditë më parë nga forcat policore të Zyrës së Luftës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, pasi ka falsifikuar një akt noterial për të pajisur vajzën me pasaportë, kur kjo e fundit nuk ia ka sugjeruar një gjë të tillë të atit. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, të cilët sqaruan se për këtë falsifikim ka filluar procedimi penal edhe ndaj noterit që e ka kryer, i cili ndiqet në gjendje të lirë. Burimet sqarojnë se ndaj noterit dhe Hysenllarit rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 e 25 i Kodit Penal. Po këtë ditë është vënë në pranga edhe 32-vjeçari Alban Elezi nga Peqini, i cili është kapur në aeroportin e Rinasit, teksa tentonte të shkonte jashtë, duke përdorur një vizë Shengen të falsifikuar.