E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çështja "Paskali", reagon GKA

19/03/2005  Në një njoftim për shtyp, Galeria Kombëtare e Arteve ka reagur në lidhje me deklarimet e bëra nga vajza e skulptorit Odise Paskali, një javë më parë, gjatë ceremonisë së dhënies së titullit "Nderi i Kombit" Odise Paskalit, titull i akorduar nga Presidenti i Republikës. Në këtë njoftim thuhet: "Ditët e fundit në disa organe të shtypit shqiptar, me rastin e dhënies së titullit 'Nderi i Kombit', artistit Odise Paskali, janë hedhur disa akuza të pabazuara në drejtim të institucionit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Familjarët e Odise Paskalit janë shprehur se, institucioni nuk ka marrë asnjë iniciativë për nderimin me titull të artistit. Prononcimi nuk është i vërtetë dhe faktojmë se Galeria Kombëtare i ka drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve një kërkesë, me numër protokolli Nr.278, datë 25 gusht 2003, në të cilën propozohet që artisti i nderuar i artit pamor shqiptar të shpallet 'Nderi i Kombit'. Bashkangjitur me njoftimin keni në dispozicion fotokopjen e kërkesës në fjalë. Kërkesa i është drejtuar Ministrisë së Kulturës në kuadrin e festimeve përkujtimore që u kryen në Galerinë Kombëtare të Arteve, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Odise Paskalit, në vitin 2003. Gjithashtu, për sa i përket thënieve të familjarëve (gjithmonë duke iu referuar shtypit), se Galeria Kombëtare ka marrë njoftim për tërheqjen e titullit, deklarojmë që nuk ka asnjë njoftim të tillë nga ana e institucionit përkatës në mënyre zyrtare. Bëjmë me dije opinionin publik se GKA, si institucioni shtetëror nuk mund të ndërmarrë iniciativa dhe veprime që shkojnë përtej kompetencave dhe funksionit të saj si institucion publik në shërbim të artit pamor shqiptar. Galeria Kombëtare shpreh keqardhjen që nderimi i një personaliteti, me dimensione artistike kombëtare në artin shqiptar, siç është skulptori Odise Paskali, të instrumentalizohet me një fushatë akuzash të pabazuara dhe fyese, për një institucion publik, i cili ka patur nderin të jetë drejtuar prej këtij artisti. Sigurojmë se është në vëmendjen dhe në politikat kulturore të Galerisë respektimi dhe përkujtimi i figurave të shquara të artit pamor shqiptar, në mënyrë institucionale dhe me dinjitetin që u takon për veprën dhe kontributin e tyre të çmuar artistik".

Zyra për Marrëdheniet me Publikun

Galeria Kombëtare e Arteve

Tiranë, 18 Mars 2005

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›