E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapen duke shitur heroinë, të dënuarit më parë për shpërndarje droge

19/03/2005  Shisnin lëndë narkotike nëpër lokalet e kryeqytetit, prangosen dy shpërndarësit e heroinës, të cilët edhe më parë kanë qenë të dënuar për të njëjtën vepër penale. Gerando Qafa, 24 vjeç dhe Blendi Alishabani, 31 vjeç, që të dy banues në kryeqytet, janë arrestuar dy ditë më parë nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës. Lajmi bëhet i ditur për gazetën nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, të cilat sqaruan se dy të arrestuarit kishin qenë edhe më parë të dënuar për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Nga burimet mësohet se ata janë kapur në flagrancë, teksa po shisnin dy doza heroinë nga 0.9 gramë kundrejt shumës së 2300 lekëve të reja. Burimet sqarojnë se dy shpërndarësit e arrestuar njiheshin si kontigjentë kriminalë dhe aktiviteti i tyre ishte prej kohësh nën hetim. Ata janë ndjekur nga agjentët e antidrogës dhe janë arrestuar pikërisht në momentin që kanë shkëmbyer drogën me paratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›