Falsifikon dokumentet e pronësisë, ndalohet 50-vjçari
Akuzohet se ka falsifikuar firmën e dy personave për të përfituar pronësinë e një toke, ndalohet nga Policia e Gjirokastrës. Burimet zyrtare nga kjo e fundit bëjnë të ditur se 50-vjeçari H. A., lindur dhe banues në Krahës të Rrethit Tepelenë, dyshohet se ka falsifikuar dokumentin “Plan Rilevimi”, më datë 26 shkurt të këtij viti. Ai dyshohet se ka falsifikuar firmën e dy shtetasve të tjerë që janë pronarë të tokës, me të cilën kufizohet toka që do të merrte në pronësi shtetasi i lartpërmendur. Dokumentin e dyshuar si të falsifikuar ai e ka paraqitur në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipotekë) në Tepelenë, me qëllim që të përfitonte certifikatën e pronësisë për një sipërfaqe toke rreth 1200 metra katrorë në fshatin Toç të Rrethit Tepelenë. Nga ana e policisë është bërë edhe sekuestrimi i dokumentit në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Falsifikimit të Dokumenteve”.
#