E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk pranon fejesën e vajzës, rreh nënë e bijë

Elbasan Policia ndalon babanë e dhunshëm. Denoncimi është bërë nga ish-bashkëshortja

Nuk i pëlqen dhëndri i ardhshëm, rreh vajzën dhe ish-bashkëshorten e tij. Agresori është ndaluar nga policia, ndërkohë që nënë e bijë kanë përfunduar në spital nga plagët e marra. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 të së shtunës në fshatin Hajdaran, Komuna Shushicë, e Rrethit të Elbasanit. Burime nga policia bëjnë të ditur se K. S., 45 vjeç, emigrant në Greqi, mbrëmjen e së shtunës është kthyer në shtëpinë ku banonte ish-gruaja me katër fëmijë, të braktisur prej tij dhe ka nisur të rrahë barbarisht vajzën 18 vjeçe, L. S., dhe ish-bashkëshorten P. S. Gjatë dhunës, gruaja ka mundur t’i shkëputet nga duart të shoqit, për të lajmëruar policinë, ndërsa ai ka vazhduar dhunën fizike ndaj vajzës duke e goditur me grushte dhe shqelma në të gjitha pjesët e trupit. Policia ka ndaluar agresorin, ndërkohë që nënë e bijë janë shtruar në spitalin kirurgjikal të Elbasanit, me fraktura dhe trauma të rënda në të gjithë trupin. Burime nga bluzat e bardha pohojnë se vajza është në gjendje më të rëndë, dhe ende ndodhet nën kujdes mjekësor. Ndërkohë mësohet se 45-vjeçari është larguar nga shtëpia për në Greqi para katër vjetësh, duke braktisur gruan me katër fëmijë dhe është rimartuar me një shqiptare me të cilën ka dhe një fëmijë. Gjatë kësaj periudhe, sipas nënës dhe vajzës së dhunuar, ndaj tyre është ushtruar sistematikisht dhunë psikologjike dhe fizike sa herë që ndodhej në Shqipëri. “Unë i kisha vënë në dijeni prindërit, se që prej dy vjetësh isha e dashuruar me një djalë, me të cilin kishin vendosur të fejoheshim. Mora babin në telefon që të vinte, pasi djali që unë dua po kërkonte të takonte prindërit e mi, por ai nuk ka pranuar”, ka rrëfyer vajza e dhunuar. I ati nuk ka qenë dakord me zgjedhjen e së bijës dhe që prej një viti i kërkonte që të ndahej prej djalit që dashuronte. “Për katër vjet rresht jemi kërcënuar prej tij dhe sa herë që vinte në Shqipëri ka ushtruar dhunë ndaj meje dhe vajzës sonë, ndaj u detyrova ta denoncoj në polici, pasi gjithçka e ka kaluar masën e durimit”, ka thënë bashkëshortja e braktisur dhe e dhunuar nga 45-vjeçari.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›