Zgjedhja me 71 vota e Presidentit shqetëson PE-në
Ndryshimet kushtetuese në Shqipëri, të cilat prekën edhe institucionin e Presidentit të Republikës më shumë se një vit më parë, nuk kanë kaluar jashtë vëmendjes së eurodeputetëve. Andrew Duff, eurodeputet i grupimit të Aleancës së Liberal-Demokratëve, në një amendament të tij për rezolutën e Shqipërisë thekson se ndryshimet kushtetuese në Shqipëri për sa i përket zgjedhjes së Presidentit kanë minuar strukturën kushtetuese të vendit tonë.
“Shpreh keqardhjen se ndryshimet kushtetuese për sa i përket zgjedhjes së Presidentit kanë shërbyer për të minuar arkitekturën kushtetuese në Shqipëri”, thekson eurodeputeti britanik në amendamentin e tij. Ky konstatim, sipas Duff, lidhet me faktin se Presidenti është institucioni që zgjedh edhe anëtarët e institucioneve më të rëndësishme në vend dhe agjencive të ndryshme. Në fakt, edhe një pjesë e konstitucionalistëve në vend e kanë kundërshtuar ashpër ndryshimin që u bë për sa i përket zgjedhjes së Presidentit, duke sanksionuar një shumicë të thjeshtë parlamentare për zgjedhjen njëherë në pesë vjet të kreut të shtetit. Kjo, sipas tyre, bën që Presidenti i një vendi të jetë më i dobët dhe fuqia e tij të bjerë në kundërshtim me ato atribute që i jep Kushtetuta e vendit.
Në këtë mënyrë duket se shqetësimi i konstitucionalistëve shqiptarë dhe disa partive të vogla për këtë ndryshim ka rënë në vesh të ndërkombëtarëve. Nesër eurodeputetët e Komisionit të Jashtëm të PE-së do të vendosin nëse do ta përfshijnë ose jo këtë amendament në rezolutën e raportuesit për Shqipërinë, Nikolaos Chountis.
#