E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja: S‘dhamë para, mjekun e zgjodhëm vetë

• Dëshmitarët që u ndodhën në spitalin “Nënë Tereza” dje në mëngjes, kur u plagos shefi i kardio-kirurgjisë, Ali Refatllari, kanë dëgjuar debate për mitmarrje mes mjekut dhe agresorit të tij.

Arben Strazimiri, siç pretendojnë dëshmitarët, kishte pohuar gjatë sherrit me mjekun se ai kishte marrë para për mjekimin e dajës së tij, Harbi Ahmeti, i cili kishte vdekur gjatë një ndërhyrje kirurgjikale në zemër pak ditë më parë. Për shkak të deklarimeve të dëshmitarëve në spital, që kishin dëgjuar sherrin e ndodhur në mëngjes, edhe policia e Tiranës fillimisht ka hetuar pretendimet e agresorit, se mjeku kishte marrë para për të mjekuar pacientin që vuante nga zemra dhe që vdiq gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Por një version i tillë është hedhur poshtë dje nga vetë të afërmit e Harbi Ahmetit. Pacienti që vuante nga zemra, Harbi Ahmeti, 68 vjeç nga Tirana, është operuar në zemër më tepër se 10 ditë më parë, nga mjeku i plagosur mëngjesin e djeshëm, Ali Refatllari. Pacienti duhej të kryente një ndërhyrje koronare në zemër. Ai është futur në operacion në orën tetë të mëngjesit dhe ka dalë nga salla e operacionit në orën 13:00. Rreth orës 17:00, Harbi Ahmeti është futur sërish në sallë nga mjekët, por këtë herë ai ka qëndruar deri në orën 03:00 të mëngjesit të një dite më vonë, duke mos mundur të mbijetonte.
Bashkëshortja
Dyshimet për korrupsion kanë shoqëruar edhe hetuesit e policisë, të cilëve gjatë ditës së djeshme u është dashur të sqarojnë një herë e mirë këtë histori, duke pyetur të afërmit e pacientit Harbi Ahmeti. Pjesëtarë të familjes së Harbi Ahmetit, kanë pohuar për gazetën “Panorama”, se nuk kanë paguar asnjë shumë parash te mjekët për kryerjen e operacionit në spitalin civil në kryeqytet. Sipas familjarëve, edhe kardiokirurgu Ali Refatllari, njëkohësisht shef i pavijonit të kardiokirurgjisë, nuk u ka kërkuar para për të kryer operacionin e njeriut të tyre që vuante nga zemra. Mimi Ahmeti, bashkëshortja e Harbi Ahmetit, tha dje për gazetën se familja kishte zgjedhur vetë mjekun Refatllari, për të kryer operacionin, pasi vetëm tek ai kishin besim. “Ngjarja e sotme na ka rënë si bombë dhe ende pa u mbyllur plaga, ne jemi tronditur nga kjo që ndodhi”, pohon Mimi Ahmeti. “Nuk e kuptojmë pse ka ndodhur ngjarja e sotme, pasi ne nuk kemi pasur asnjë problem apo keqkuptim me këtë histori”, vazhdon gruaja. Më tej ajo tregon se edhe këmbëngulja e familjes ka qenë që operacionin ta kryente vetë shefi i pavijonit të kardiokirurgjisë, pasi tek ai kishin besimin më të madh. “Një njeriu im në spital më siguroi për këtë dhe unë nuk kam asnjë dyshim në ndershmërinë e punës që ka kryer doktori. Ajo që ndodhi sot, i takon drejtësisë ta sqarojë dhe të zbardhë të vërtetën”, tha bashkëshortja e pacientit të vdekur në operacion. Thuajse të njëjta janë edhe fjalët e Nardit, djalit të Harbi Ahmetit. Sipas tij, familjes së tij nuk u ka kërkuar askush para, e aq më pak kirurgu që ka operuar babanë e tij. “Mjeku ka dalë nga salla e operacionit dhe dukej që ishte i dërrmuar dhe i mërzitur. Pas operacionit na tha se i vinte keq, por se gjithçka kishte përfunduar keq”, tregon djali. Ai pohon se veprimi i kushëririt të tij që plagosi doktorin, është i pakuptueshëm. Djali i Harbi Ahmetit thotë se kushëriri i tij, Arben Strazimiri, nuk duhej të kishte plagosur mjekun. Ai shton se nuk dinte kush mund të kishte nxjerrë pretendime për korrupsion në këtë histori pasi atyre u ishin kërkuar para, pasi në të vërtetë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë.

Prindërit e agresorit: Djali nuk tha se fajësonte mjekun për dajën 

TIRANE - Uran Strazimiri, një regjisor i njohur i kinematografisë shqiptare, ndjehet tërësisht i tronditur për agresionin që djali i tij ka bërë dje ndaj kardiologut Ali Refatllari. “Nuk mendoja se do të kryente një veprim të tillë, edhe pse ai ishte i sëmurë. Ai asnjëherë nuk ka hapur biseda në familje apo mendime se fajtor për vdekjen e dajës së tij ishte mjeku. Unë dola në mëngjes për në punë, ime shoqe po ashtu. Edhe ai doli. Mora vesh pastaj nga fqinjët se policia kishte ardhur në shtëpi, e kishte marrë dhe ai e kishte hapur vetë derën. Asnjëherë nuk na kishte shkuar në mendje një histori e tillë”, thotë babai i autorit të plagosjes së mjekut dje në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Ai tregon se sapo kishte marrë vesh për ngjarjen, ishte nisur për në spital, ku ishte interesuar për gjendjen e mjekut të plagosur. “Që në mëngjes deri pasdite vonë, për gati tetë orë kam qëndruar përpara spitalit dhe jam interesuar me shokë e miq të afërm të mi pa rënë në sy, për të mësuar gjendjen në të cilën ishte mjeku”, tregon regjisori i njohur. Bashkëshortja e tij, nëna e Arben Strazimirit, qëndron në një divan ngjitur, ndërsa herë pas here i dalin lot. “Djali im nuk ka pasur arsye të shkonte për të qëlluar mjekun, pasi vetë familja e Harbiut, nuk ka pasur pretendim për mjekimin dhe të gjithë operacionin që është kryer në spital. Mund të them se përkushtimi i mjekut ka qenë maksimal dhe se ai ka qëndruar nga mëngjesi deri në mesditë në sallë të operacionit, e më pas nga ora 5 pasdite deri në 3 të mëngjesit, po atë ditë”, thotë nëna e të arrestuarit. Urani thotë se kanë pasur shumë besim te Refatllari, saqë edhe ai vetë kishte planifikuar të kryente një operacion tek ky kirurg. Madje, Strazimiri shton se edhe motra e madhe e tij, ishte operuar po tek ky mjek.                                d.b

precedentet

30 mars 2008

Agim Karaj, mjek kirurg në spitalin onkologjik në Tiranë, është kërcënuar nga të afërmit e një pacienteje që kishte vdekur gjatë operacionit.
 
14 prill 2007

Një kallëp tritoli është vendosur në një prej gomave të automjetit në pronësi të Simon Kalës, mjek patolog, në qytetin e Rrëshenit. Nga shpërthimi nuk pati të lënduar apo viktima.

6 nëntor 2003

Një sasi lënde plasëse shpërthen në derën e kirurgut të spitalit ushtarak Myzafer Brati. Nga shpërthimi nuk pati të lënduar, ndërsa ajo shkatërroi pjesërisht banesat aty pranë.

“Një polic shpëtoi mjekun nga agresori”

TIRANE - Ndue Vukaj nga Puka, është një nga personat që rastësisht u ndodh në vendin e ngjarjes, kur shefi i pavijonit të kardiologjisë është sulmuar nga Arben Strazimiri. Dëshmitari Vukaj ka pranuar të tregojë atë çka ai ka parë dhe ka përjetuar mëngjesin e djeshëm, kur mjeku është sulmuar me thikë. Vukaj tregon se autori i ngjarjes ishte në katin e parë të pavijonit, që është i ndarë me një korridor dhe me dy dyer nga pjesa e jashtme.
Si ndodhi ngjarja në mëngjes?
Ishim jashtë te dera e spitalit. Dera ishte e hapur dhe njeriu që sulmonte doktorin kishte qenë afër banakut, aty ku merren pije të ftohta apo kafe. Aty doli doktori dhe ne menduam se ai ishte me të, kur ai nxori thikën dhe nisi ta qëllonte. Doktori vraponte dhe i thërriste të mos e qëllonte. Mos qëllo, mos qëllo, bërtiste doktori dhe mundohej të ruhej që të mos prekej nga goditjet me thikë. Nuk e pashë kur e qëlloi, por pashë që doktori kishte gjak në kurriz. Mora vesh më pas se ai e kishte qëlluar një herë në shpinë.
Nuk arriti askush të kuptonte se ai mund të sulmonte doktorin, thikën nuk e pa njeri në duart e autorit të ngjarjes?
Ai ishte te banaku dhe nuk po kuptohej çfarë po bënte, vetëm kur u afrua mjeku, atëherë u vërsul. Thikën e kishte të fshehur që të mos e shihte njeri dhe nuk u mor vesh se ç’kishte me vete. Pastaj secili sheh hallin e tij dhe s’e ka mendjen të shohë çfarë bën tjetri.
Kush e ndaloi agresorin, a i shkoi njeri në ndihmë mjekut?
Po, ishte një djalë, mora vesh se e kishte emrin Gëzim dhe që punonte në polici. Ai i shkoi atje dhe i bërtiti: Policia, mos lëviz, menjëherë ai lëshoi thikën dhe donte të ikte. Aty ai e ndaloi. Mora vesh se aty ishte edhe një polic tjetër. Nxori edhe ai një dokument dhe e ndaloi. Thika ishte hedhur në rrugë dhe më pas erdhi policia. Doktorin e morën disa vetë dhe e futën në ashensor dhe e ngjitën në sallën e operacionit.
A mësuat përse e qëlloi mjekun?
Nuk e di, por dëgjova se ai i thoshte maskara mjekut, dhe e sulmonte.

Thikë pas shpine për pacientin e vdekur

Kardiologu i njohur Ali Refatllari, ndoshta e kishte harruar ndërhyrjen kirurgjikale pa sukses të dhjetë ditëve më parë, kur është ndodhur në agresionin e një personi që e qëlloi dy herë me thikë pas shpine.

Ngjarja ndodhi dje rreth orës 09:00 në ambientet e brendshme të spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Arben Strazimiri, 35 vjeç, i cili duket se ka ruajtur mjekun, është afruar pranë shefit të kardiokirurgjisë Ali Refatllari dhe më pas ka qëlluar tri herë me thikë. Dy goditjet e para i shkaktuan mjekut plagë në shpinë, ndërsa e treta goditi dorën e djathtë, duke prerë një prej gishtave të doktorit. Sipas hetimeve të policisë, shkak për ngjarjen e djeshme ka qenë një ndërhyrje kirurgjikale që kardiologu Ali Refatllari kishte kryer rreth dhjetë ditë më parë. Pacienti kishte vdekur, ndërsa nipi i tij, Arben Strazimiri, person me probleme mendore, dyshohet se në shenjë irritimi është hakmarrë ndaj mjekut, të cilin dyshohet se ka dashur ta vrasë me një thikë, e cila pasi u sekuestrua dhe u verifikua nga hetuesit, rezultoi të ishte 37 centimetra. Ka qenë ndërhyrja e një agjenti të policisë i veshur civil, ajo që ka shpëtuar mjekun. Agjenti i ndodhur pranë vendit ku ndodhi ngjarja ka ndërhyrë duke ndaluar agresorin. Menjëherë policia dhe rojet e sigurisë së spitalit kanë ndërhyrë duke arrestuar autorin e sulmit, i cili ishte proceduar penalisht, pasi dy vjet më parë kishte tentuar të vriste kunatën e tij po me thikë. Pas ndalimit të agresorit, mjeku i plagosur është dërguar në urgjencë, ku mori mjekimin e parë dhe më pas gjendja e tij paraqitet pa rrezik për jetën. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes, pretenduan se mjeku kishte marrë 2 mijë euro nga të afërmit e të pacientit të vdekur, të cilat nuk kishte pranuar t,i kthente pasi ndërhyrja kirurgjikale rezultoi pa sukses.
Ngjarja e djeshme ka tronditur të gjithë bluzat e bardha dhe krerët e shëndetësisë. Sipas drejtorit të spitalit, Mati Pepa, shkaku i plagosjes së kreut të kardiokirurgjisë ka qenë një ndërhyrje kirurgjikale në zemër (bypas), që ai i ka bërë dajës së agresorit një javë më parë. Por pas kësaj pacienti ka humbur jetën, çka ka çuar në irritimin e familjarëve. “Dr. Refatllari ka operuar duke zbatuar të gjitha procedurat ligjore paraprake siç veprohet për çdo qytetar, duke marrë miratimin e personit dhe familjarëve të tij për ndërhyrjen kirurgjikale. Por mesa duket agresori e ka kërkuar pasojën te mjeku dhe kjo është e pafalshme”, tha Pepa. Drejtori i QSU-së dënoi rëndë aktin e paprecedent dhe i bëri apel publikut të distancohet nga të tilla ngjarje kundrejt bluzave të bardha. “Në jo pak raste individë të papërgjegjshëm kanë sulmuar personelin mjekësor, i cili punon me përkushtim e profesionalizëm. Është e pafalshme që mjekëve t’u rrezikohet jeta në një mënyrë të tillë makabre dhe antinjerëzore”, tha Pepa në konferencën për shtyp. Vënia në rrezik e jetës së mjekut është cilësuar si një krim i shëmtuar kundër misionit human të bluzave të bardha.

Plagosja me thikë vë në rrezik  karrierën e kirurgut 50-vjeçar
TIRANE – Thika që ka përdorur Arben Strazimiri ka depërtuar në rastin më të keq 3 centimetër në trupin e mjekut Ali Refatllari. Sipas burimeve spitalore dhe zyrtarëve të policisë, agresioni i djeshëm ndaj shefit të kardiokirurgjisë është bërë shkak që mjeku të humbasë gishtin e majtë, ndërsa plagët që ka marrë në shpatulla paraqesin rreziqe të tjera. Sipas burimeve spitalore, mjeku ndodhet në gjendje pa rrezik për jetën, por plagosja mund t’i rrezikojë atij vazhdimësinë e karrierës. Burimet nga policia janë shprehur dje se goditjet me thikë kanë shkaktuar dëmtime në mushkëritë e doktorit dhe në shpinë, ndërsa vetëm për pak sa nuk kanë prekur aortën, çka mund të sillte pasoja të rënda për jetën e mjekut. Ali Refatllari, rreth 50 vjeç, ka një karrierë të gjatë dhe të pasur në mjekësi. Si pasojë e përvojës së gjatë dhe aftësive të fituara jo vetëm në sistemin arsimor, por edhe nga trajnimet dhe specializimet e shumta, si dhe nga përvoja dhjetëra vjeçare, ai është emëruar shef i repartit të kardiokirurgjisë në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›