E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhja e Rozana Radit me Polin e “Big brother”

• Është një ndër personazhet që nuk spikati qysh në fillim të “Big Brother”

Manjola bregasi

, por që kohët e fundit gjithmonë e më tepër po tërheq vëmendje, si tek banorët brenda shtëpisë ashtu edhe tek publiku. E kemi fjalën këtu për Polin, modelin e dikurshëm, që i ka hyrë garës së reality-showt më të përfolur për momentin. Nga ana tjetër interesin tonë e zgjoi edhe një tjetër relacion i tij. Bëhet fjalë për marrëdhënien e Polit me këngëtaren dhe aktoren Rozana Radi. Përveçse kushërinj, Rozana Radi dhe Poli i “Big Brother” janë edhe miq shumë të mirë. Nuk e kemi pasur të vështirë të arrijmë në këtë konstatim vetëm pasi kemi hedhur një sy në arkivin tonë fotografik. Fotoja, që po sjellim është realizuar disa muaj më parë, ku Poli dhe Rozi janë shfaqur së bashku gjatë konkursit “Supermodel of the World, Albania”. Madje në një retrospektivë të shkurtër kujtojmë, se disa nga gazetat rozë në Shqipëri duke mos e njohur Polin, e kishin cilësuar si të dashurin e Rozit. Në këtë kuadër u përpoqëm të mësonim diçka më tepër për marrëdhëniet mes dy kushërinjve, e për më tepër një këndvështrim të Rozanës për sjelljet e Polit brenda shtëpisë. Por ajo ka preferuar të mos japë komente rreth këtij fakti duke u shprehur, se gjithçka do e mësojmë nga goja e Polit, kur ai të lërë shtëpinë. Ndonëse me siguri Rozi do të dëshironte, që ai të mbërrinte deri në fund të garës. Nga ana tjetër, kujtojmë se Rozana dhe motra e saj Andeta kanë një marrëdhënie shumë të mirë edhe me tezen e tyre, mamanë e Polit, madje shpesh Rozin e kemi parë në ambjente dhe festa publike në shoqërinë e saj. Edhe Andeta në prezantimin e javës së kaluar në Top-channel, gjatë surprizës që i ishte bërë Polit, vuri në dukje dashurinë e saj për të, njësoi si dashurinë për një vëlla të mungur. Por duke qenë se, prindërit e Polit këto ditë ndodheshin në Greqi, nuk mundëm të merrnin as mendimin tyre rreth sjelljes së djalit brenda shtëpisë. Gjithsesi, ajo që bie në sy është, se ndërsa në fillim na kishte dhënë përshtypjen e një djali të formuar, por që nuk kishte pasur mundësinë të shprehej, tashmë Poli ka arritur ta sigurojë këtë mundësi. Tani ai ka arritur të fitojë jo vetëm vëmendjen e publikut, por edhe interesin e femrave të shtëpisë, një fushë, që deri para pak kohësh ishte dominuar nga Olsi. Sigurisht pozitën e tij e përcaktoi edhe hyrja në shtëpi e Ildës, që me sa duket ka nisur të shprehë qartë rivalitetin me Inën për të fituar vëmendjen e Polit. Madje gjatë këtyre ditëve Ilda ka guxuar të shkojë edhe më tej. Duke deklaruar gjatë bisedës me Polin, se do t’i pëlqente ta merrte për burrë. Pas largimit të Visit, situata bëhet edhe më komplekse, gjë që me siguri do t’i japë Polit mundësinë të shfaqet edhe më shumë. Për më tepër, që këtë javë ndodhej mes të nominuarve.    

Edhe dy të rejat do të nominojnë
Këtë javë dy banoret më të reja të shtëpisë, Mardiola dhe Ilda do të kenë mundësinë të nominojnë dhe rrezikun për t’u nominuar. Duke qenë se kanë hyrë në shtëpi pak javë pas të tjerëve, dy vajzave iu është dhënë koha e mjaftueshme për t’u njohur me banorët dhe për t’u bërë të njohura nga publiku. Por tashmë është momenti, që ato të përfshihen tërësisht në garë duke qenë të rrezikuara nga nominimi, po aq sa edhe të tjerët. Gjithsesi nëse ndonjëra prej tyre do të ketë shansin të qëndrojë deri në fund të garës do të ketë zbritje nga shuma e 50 mijë eurove të vëna në dispozicion.  

Surprizat e spektaklit dhe ndoshta një
banor i ri
“Këtë javë brenda shtëpisë do të ketë shumë surpriza”. Është kjo përgjigja e një zëri zyrtar mes organizatorëve të “Big brother”. Ndonëse surprizat nuk do të zbulohen, sepse pikërisht për këtë arsye quhen të tilla mësojmë, se do të jenë shumë më tepër nga sa kanë qenë gjatë javëve të shkuara. Ndërkohë, ende e pakonfirmuar në mënyrë zyrtare mbetet hyrja e një anëtari të ri. Flitet se ndoshta në javët në vijim, një mashkull do t’u shtohet banorëve të shtëpisë, por ky fakt nuk pohoet në mënyrë zyrtare. Nga ana tjetër organizatorët vazhdojnë të jenë të kënaqur për audiencën e lartë edhe pse sjelljet e banorëve brenda shtëpisë janë shpesh të pambështetura nga kjo audiencë.    

Sondazhet e kësaj jave dhe fenomeni Romina
Sondazhet e kësaj jave këtë radhë jo vetëm në faqe jozyrtare, por edhe në faqen zyrtare të “Big brother” nxjerrin si pretendente për të dalë nga shtëpia, Rominën. Në forumin e “Big brother” në internet Romina është më e votuara nga publiku, ndërsa pas saj vjen Ina, Najada, Poli, Arbri dhe Astriti. Por duke kujtuar, që votat në internet nuk ndikojnë në votimin zyrtar të lojës, mbetet ende enigmë zgjedhja e publikut, që vendos fatin e banorëve. Gjithsesi tashmë mund të themi se Romina është shëndërruar në fenomen, për vetë faktin, që e nominuar prej disa javësh vazhdon të mbetet në shtëpi.

Rozana Radit i vjedhin makinën dhe paratë

E ndërsa ishim duke shkruar lajmin për marrëdhëniet e mira të Rozit me kushëririn e saj Polin, paraditen e djeshme mësuam edhe një lajm aspak të këndshëm për këngëtaren. Shumë pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Rozana Radit i kanë vjedhur makinën. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes rreth orës 19 oo, kohë kur këngëtarja kishte parkuar në zonën aty pranë një veturë “Ford Fokus”, me ngjyrë blu, prodhim i viteve të fundit. Por ndërsa e ka lënë makinën për disa minuta, kur është kthyer Rozi e ka gjetur vendin e parkimit bosh. Ka lajmëruar menjëherë policinë, që ndonëse ka nisur menjëherë kërkimet dhe hetimet nuk ka arritur të zbulojë autorët apo të gjejë makinën. Vlen të themi, se brenda në makinë Rozana ka pasur edhe një shumë të konsiderueshme parash si dhe një kartë kreditit, të cilën e ka bllokuar menjëherë nëpërmjet bankës.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›