E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-zyrtari rrëfen kontratat e MEICO

• Prokuroria e Përgjithshme mori dje në pyetje për pesë orë ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, lidhur me hetimet për tragjedinë e Gërdecit.

Trazhgim Sokolaj

 Ish-zyrtari i lartë i dikasterit të Mbrojtjes Ardian Mullai, dëshmoi për më shumë se pesë orë në organin qendror të akuzës lidhur me kontratën e nënshkruar mes ndërmarrjes MEICO dhe firmës amerikane “Southern Ammunition Company”. Burimet zyrtare nga Prokuroria thanë se, Ardian Mullai caktohej nga ligji si mbikëqyrës i të gjitha kontratave, që ndërmarrja shtetërore MEICO nënshkruante me palët e treta për importin, eksportin dhe demontimin e armëve dhe municioneve. Në rast të shkeljes së kontratës, abuzimeve dhe problemeve si ato që ndodhën në Gërdec, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, sipas ligjit, ka kompetencën për të ndërhyrë në nisjen e procedurës për anulimin e kontratës. Rreth këtyre fakteve mësohet se, është përqendruar edhe dëshmia që dha në Prokurorinë e Përgjithshme, ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes i larguar me dëshirën e tij nga ky institucion pak kohë më parë. Mullai ka dhënë sqarime edhe për momentin kur është marrë vendimi, që qendra e demontimit të predhave të ishte në një zonë të banuar dhe fare pranë autostradës e aeroportit si Gërdeci. Sipas të dhënave mësohet se, vendi ku do të vendosej fabrika e çmontimit ishte propozuar nga firma amerikane SAC, e cila dyshohet se më parë kishte rënë dakord për këtë me Mihal Delijorgjin, pronar i firmës “Alba Demil” që përfitonte skrapin e dalë nga çmontimi i predhave e fishekëve. Ardian Mullai edhe më parë është marrë në pyetje për të dhënë sqarime rreth pozicionit të tij në ngjarjen e Gërdecit dhe abuzimeve të mundshme nga zyrtarë të tjerë në procesin e demontimit. Mullai ka dhënë sqarime edhe në Prokurorinë e Tiranës, kur dosja u hetua nga ky institucion derisa procedimi penal me numër 916, u transferua në Prokurorinë e Përgjithshme bashkë me një kërkesë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Para se të marrë një vendim rreth kësaj kërkesë, Prokuroria e Përgjithshme duket se ka vendosur të ripërsërisë ato veprime hetimore që më parë ishin kryer nga Prokuroria e Tiranës. Kjo e fundit kishte marrë në pyetje shefin e Shtabit të Përgjithshëm, i cili u thirr të dëshmojë edhe në Prokurorinë e Përgjithshme ashtu sikurse Ardian Mullai, i cili më parë ka dhënë deklarime në Prokurorinë e Tiranës.

Agjentët amerikanë të ATF-së, hetime të krateret e Gërdecit

TIRANE – Agjentët e Byrosë Amerikane të Hetimeve ATF, kanë vazhduar dje hetimet në krateret e shpërthimit në Gërdec. Të shoqëruar nga dy oficerë të policisë dhe Prokurorisë shqiptare, efektivat e Byrosë Hetimore Amerikane edhe dje kanë vazhduar të grumbullojnë prova me vlerë për hetimin, në vendin ku ndodhi tragjedia e Gërdecit. Ata kanë mbledhur edhe dëshmi nga banorë të zonës dhe ish-punëtorë të fabrikës, për të rindërtuar skemën e ngjarjes së ndodhur më 15 mars të këtij viti në Gërdec. Ambasada Amerikane në Tiranë sqaroi dje se, agjentët e Byrosë ATF, që po hetojnë Gërdecin bashkë me Prokurorinë shqiptare, janë të specializuar për hetimin e incidenteve me eksplozivë dhe vënien në zbatim të ligjeve mbi eksplozivët dhe rregullave të industrisë së eksplozivëve. “Që nga viti 1978, ATF ka pasur aftësi për t’u përgjigjur në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për hetimin e shpërthimeve dhe zjarreve të mëdha. Kjo aftësi, Ekipi i Reagimit Kombëtar (NRT) dhe Ekipi i Reagimit Ndërkombëtar (IRT), përbëhet nga ekipe që përgjigjen kudo në Sh.B.A., dhe, nëpërmjet Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit, përgjigjen në ndihmë të qeverive të huaja me hetime jashtë Sh.B.A”, tha ambasada amerikane. Sipas saj, ekipet e ATF-së punojnë përkrah hetuesve vendas për të rindërtuar skenën, për të identifikuar origjinën dhe shkakun e shpërthimit apo zjarrit, kryerjen e intervistave, si dhe kontrollin e mbeturinave të këtyre incidenteve për të përftuar të dhëna të lidhura me shpërthimin apo zjarrin.

Afera e fishekëve kinezë, edhe John Kerry heton Efraim Diverolin në SHBA
SHBA, Efraim Diveroli, tregtari i armëve 22-vjeçar nga Miami Beach, i cili bleu fishekë kinezë nga ndërmarrja shqiptare MEICO, është tashmë nën hetim, pasi ka shitur me dijeni municion kinez të ndaluar nga qeveria amerikane. Lajmi u bë publik dje nga gazeta amerikane “The Miami Herald”, e cila shkruan se tani, firma e Diverolit, AEY, është veçuar si shembulli i mashtrimit dhe menaxhimit të keq në mënyrën se si qeveria federale jep kontratat për bizneset e vogla të zotëruara nga minoritarët. Senatori John Kerry, tha se AEY ka fituar më shumë se 50 kontrata me vlerë 298 milionë dollarë, veçanërisht për shkak të përcaktimit të saj si biznes i vogël pa fitim, një status i rezervuar për njerëz që i përkasin një grupi të caktuar minoritar, të cilët kanë provuar se shuma e fitimit të tyre është nën 750,000 dollarë. Nuk ka prova që AEY ka kërkuar ndonjëherë statusin special apo të ketë qenë e përshtatshme për këtë status. Gjyshi i Diverolit është italian, jo një nga minoritetet e zgjedhura për këtë program. Incidenti hedh dritë mbi mënyrën se si disa biznese që luftojnë për përkrahje janë përpjekje për të krijuar inflacion mbi numrat kontraktues, me qëllim për të ekzagjeruar angazhimin e qeverisë për firmat e vogla të pronësuara nga minoritarët. Që në vitin 1995 ka pasur 13 hetime qeveritare dhe dy studime private, që kanë ngritur problemin e abuzimit dhe keq-menaxhimit në sistemin federal të kontratave. Kerry i ka dërguar letra Departamentit të Mbrojtjes dhe të Shtetit dhe administratës së biznesit të vogël, duke kërkuar sqarime mbi këtë gabim. “Mungesa e vëzhgimit të programit të kontratave brenda qeverisë federale i lejon kompanive si AEY, akses të gabuar për qindra miliona dollarë në kontrata si një SDB”, shkruan Kerry për administratorin e SBA, Steven Preston. “Gabimet janë duke hedhur poshtë përpjekjet për të niveluar fushën e lojës për firma të vogla pa fitim”. SBA në Uashington tha se nuk ka të dhëna që AEY, të ketë aplikuar ndonjëherë për status SDB. AEY nuk ka komentuar dhe avokati i Diverolit nuk u është përgjigjur menjëherë telefonatave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›