Rrëshen-Kalimash, rritet kostoja e ndërtimit
Nënkryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, hodhi dje sërish akuza kundrejt qeverisë në lidhje me segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash. Duke u ndalur tek aspekti financiar i këtij segmenti rrugor, deputeti Braçe deklaroi se "shqetësimi kësaj radhe ka të bëjë me faktin se kompania që ka marrë përsipër të ndërtojë rrugën Rrëshen-Kalimash ka kërkuar për herë të dytë nga qeveria shqiptare një shtesë fondesh prej 142 milionë euro". Numri dy i deputetëve socialistë nënvizoi se është hera e dytë që kompania "Bechetl&Enka" po kërkon një shtesë fondesh për këtë segment. "Pasi ajo e ka bërë një gjë të tillë edhe në 3 prill të vitit 2007, vetëm dy muaj pasi kishte filluar punimet e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash", kujtoi Braçe. Ndërsa shtoi se vlera shtesë e kërkuar ekzaktësisht është 141.973.633 euro, dhe vlera e kontratës nga 418 milionë euro, arrin në 560.307.613 euro. Bashkë me TVSH, shtoi Braçe, vlera e kontratës e kalon shifrën e 670 milionë eurove.