E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja e Konomit: Jemi në rrezik, mbroni jetën e pronën tonë

VLORE- Plot 21 ditë nga vrasja në mënyrë demonstrative e njeriut të tyre, dhe një prej punonjësve të sistemit të drejtësi, familjarët, e  gjyqtarit Skerdilajd Konomi, deklarojnë hapur se "jeta e tyre është në rrezik dhe kërkojnë mbrojtjen e jetës dhe të pronës".

Nëpërmjet një letre të hapur të përcjellë sot me email në të gjitha redaksitë e mediave shqiptare familjarët e gjyqtarit të gjykatës së Vlorës, të ekzekutuar në një atentat me tritol, në mes të qytetit të Vlorës,  paraditen e 9 shtatorit  deklarojnë hapur se jeta e tyre është në rrezik.

Letra i është drejtuar: Presidentit të Republikës Z. Bamir Topi, Ministrit të Drejtësisë, Z. Eduard Halimi dhe Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Z. Kreshnik Spahiu, si "përfaqësuesit dhe garantuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri." Por duke u nisur dhe nga "zotimi i këtyre autoriteteve "se fajtorët për këtë krim makabër do të vendosen përpara drejtësisë sa më parë"

"Ne shpresojmë që më në fund, jeta dhe prona e familjarëve tanë të mbrohen me forcën e ligjit që ju ka veshur me autoritet."- nënvizohet në letrën e hapur të familjes Konomi.

Më pas ndalet në çështjen e pronave të trashëguara, si pista kryesore e hetimeve, por dhe një proçes gjyqësor i hapur  për familjen, për të cilin seanca e radhës është  pikërisht pas tre ditësh.

"Për sa kohë që krimi mbetet pa fajtorë dhe çështja e pronave e pazgjidhur, ne ndihemi të rrezikuar seriozisht për jetën. Nga çfarë dihet deri më sot, pronat e trashëguara nga familja, të cilat janë njohur dhe nga një vendim i Gjykatës së Lartë, përbëjnë pistën kryesore te hetimeve. Nisur nga kjo, frika jonë është edhe më e madhe tashmë që ndodhemi në pragun e një gjyqi i cili pritet të zhvillohet të hënën, më datë 3 tetor. Pa dashur të hamendësojmë asgjë, kërkojmë që ju të ushtroni të gjithë influencën tuaj që ky proces të zhvillohet sa më i qetë, i rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjin. Familja jonë kërkon jo vetëm mbrojtjen e pjesëtarëve tanë, por edhe të trupit gjykues ndaj presioneve të mundshme."

"Gjetja e fajtorëve të vrasjes së Skerdilajdit- vazhdon letra-  dhe finalizimi i proceseve te pronësisë konform ligjit, do të lehtësojnë dhimbjen e familjarëve dhe do të japin një shembull të shkëlqyer të mirëfunksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Pavarësisht krimit të tmerrshëm që ndodhi, dhe kërcënimit që qëndron pezull mbi çështjen e pronave, familja Konomi është e vendosur të ndjekë çdo rrugë ligjore për të kërkuar të drejtën e saj, pavarësisht çdo akti kriminal që synon të pengojë drejtësinë."

Letra mbyllet me besimin në punën dhe angazhimin  e përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, në zbatim të ligjit, për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj situate, si dhe me falenderimin për mbështetjen që i kanë dhënë në këto momente të vështira.
Hetimet
Prokuroria ka nisur hetimet për vrasjen e Konomit, por për momentin nuk flitet ende për emrat e autorëve, organizatorëve, apo urdhëruesve të  atentatit me tritol në makinë. Apelit të familjes për të zbardhur vrasjen, më 14 shtator iu bashkua dhe ambasadori amerikan Arvizu. Diplomati amerikan u kërkoi organit të akuzës dhe policisë, zbardhjen sa më të shpejtë të vrasjes duke e cilësuar atë “vrasje të tmerrshme” dhe duke theksuar “se dikush u përpoq ta vriste dhe e vrau gjyqtarin Konomi.”
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›