Familja kërkon dëmshpërblim për djalin e vrarë
Ministria e Mbrojtjes paditet në gjykatë për vrasjen e të riut Altin Xhebraj teksa po tentonte të kalonte kufirin
TIRANË- Një familje nga Vaqarri i Tiranës ka paditur Ministrinë e Mbrojtjes duke e konsideruar si fajtore për vrasjen e djalit të saj teksa po tentonte të kalonte ilegalisht kufirin. Përveç ministrisë, në gjykatë është paditur edhe Reparti i forcave "Komando" në Zall-Herr dhe ish-ushtari Shpëtim Llanaj.
Në padi, familja Xhebraj nga fshati Vaqarr, kërkon dëmshpërblim për vrasjen e djalit të tyre Altin Xhebraj.
Sipas padisë, Altin Xhebraj është vrarë nga ushtari i forcave "Komando" në Portin e Durrësit, Shpëtim Llanaj, i cili në atë kohë kryente shërbimin e rojës. "Përgjegjësinë për vrasjen e djalit tonë, Altin Xhebraj e mban institucioni i Ministrisë së Mbrojtjes, Komanda e Repartit Ushtarak Nr.1006 "Zall Herr" si dhe ish-ushtari Shpëtim Llanaj që ishte pjesë e këtij reparti.
Pasi, ky i fundit ka qëlluar gjatë kryerjes së detyrës së tij, në drejtim të djalit tonë duke e vrarë atë. Për këtë vrasje, ish-ushtari Llanaj është dënuar dhe ne kërkojmë të dëmshpërblehemi për humbjen e djalit tonë",- thuhet ndër të tjera në padinë e familjes Xhebraj. Por, edhe pse kjo kërkesë padia civile është depozituar që më 4 korrik 2008, gjyqtari Arben Konstandini nuk ka mundur të zhvillojë asnjë seancë gjyqësore.
Për të shtatën herë rresht procesi është shtyrë sepse nuk janë paraqitur të gjitha palët. Sipas gjykatës, nuk është njoftuar i dënuari Shpëtim Llanaj, i cili ndodhet në kërkim.
Ndaj këtij të fundit menjëherë pas vrasjes së të riut është ngritur akuza për shkeljen e rregullave të shërbimit të rojës në objekte të rëndësishme me pasojë vdekjen e shtetasit Altin Xhebraj. Por ai nuk është arrestuar asnjë herë pasi është larguar në drejtim të paditur. Nga proceset gjyqësore të zhvilluara kundër tij, Gjykata Ushtarake ka dënuar Shpëtim Llanajn me pesë vjet burg.
Sipas padisë, ka qenë data 4 mars e vitit 2000, kur 18- vjeçari nga Vaqarri Altin Xhebraj, bashkë me shokët e tij Ylli e Korab Shkreta dhe Lavdërim Nerguti kanë tentuar të hipin në ndonjë prej anijeve që nisej për në Itali.
Rreth orës 9:00 të mëngjesit ata kanë hyrë brenda rrethimit të Portit të Durrësit që ruhej nga Forcat "Komando" por deri në 15:00 nuk kanë mundur të hipin në asnjë anije. Pas këtij dështimi janë nisur për të dalë, ku janë ndaluar nga ushtarët Shpëtim Llanaj e Çelik Baci.
Të rinjve iu janë kontrolluar dokumentet identifikues dhe duke parë se ata kanë hyrë në mënyrë ilegale brenda Portit kanë lajmëruar grupin e gatshëm të policisë për t'i shoqëruar në Komisariat. Nga frika e burgosjes, të rinjtë kanë filluar të ikin me vrap, duke u ndjekur nga ushtarët "Komando" Baci e Llanaj.
Ky i fundit duke parë se nuk po i arrinte të rinjtë, ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar në ajër. Sapo i është afruar 5-6 metra 18- vjeçarit Xhebraja, i cili po tentonte të kalonte rrethimin prej 3 metrash ushtari Llanaj ka vazhduar të qëllojë në ajër në vrapim e sipër, ku një plumb e ka përshkruar trupin e të riut duke e lënë të vdekur.