E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasani, konflikte me policinë që në vitin 2000

Vrasësi i dy policëve mendohet se dyshonte që një prej dy viktimave të tij ishte edhe vrasës i kunatit të vet


KUKËS - Afrim Hasani kishte inate personale me policinë. Kështu bëjnë të ditur burime të policisë së Kukësit, por edhe banorë të fshatit Shemri. Kjo besohet se ka qenë një arsye më shumë që Afrim Hasani të mos ketë menduar shumë kur ka shkrehur armën ndaj dy policëve Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila duke i lënë të vdekur në vend mbrëmjen e 23 marsit.

Pikërisht para 8 vjet e gjysmë, më 22 shtator të vitit 2000, forcat speciale dhe ato të komisariatit të Kukësit kanë vrarë në fshatin Shemri, Shaban Vokën. Vrasja është bërë gjatë një operacioni me shkallë të gjerë të policisë speciale për kapjen e disa autorëve të grabitjeve sistematike në rrugën Fushë-Arrës-Kukës, të cilët ishin bërë tmerri i udhëtarëve, sidomos atyre nga Kosova.

Në mesin e të dyshuarve ka qenë edhe Shaban Voka, i cili është vrarë nga policia në momentin kur kishte shkuar për ta arrestuar në shtëpinë e tij. Shaban Voka rezulton te jetë burri i motrës së Afrim Hasanit. Burime të policisë së Kukësit, të cilët iu referohen dëshmitarëve nga fshati Shemri, shprehen se pas vrasjes së dhëndrit, Afrim Hasani demonstronte njëfarë urrejtjeje ndaj forcave të policisë, por edhe ndaj atyre që ai ka mundur t'i identifikojë si pjesëmarrës në operacionin policor.

Në operacion ai dyshonte se kishte qenë edhe Ramadan Hila. Polici i vrarë nga Afrim Hasani kishte një karrierë të gjatë në polici dhe njihej si mjaft i motivuar dhe person që kishte identifikuar një numër bandash dhe grabitësish që vepronin në zonën e Shemrisë në aksin rrugor Kukës-Fushë-Arrës, të cilët kishin realizuar vrasje e grabitje të shumta në këtë aks rrugor, sidomos pas vitit 1997. Këto banda janë goditur herë pas herë nga policia deri në asgjësimin e tyre. Një prej personave të dyshuar dhe që kishte rreth 7-8 kallëzime për grabitje ishte edhe Shaban Voka.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›