E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra, Shefer fton Shqipërinë në NATO

Depozitimi i instrumenteve të ratifikimit do të kryhet sot, përmes një ceremonie të përbashkët të ambasadorit shqiptar dhe atij kroat, në Uashington


"Republika e Shqipërisë pritet të bëhet palë, ditën e depozitimit të instrumentit të saj të aderimit, pranë qeverisë së SHBA-së"


TIRANË- Shqipëria ftohet të aderojë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, përmes një letre drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, shkruan se, në përputhje me nenin 10 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, Republika e Shqipërisë do të bëhet palë në këtë Traktat ditën e depozitimit të instrumentit të saj të aderimit, pranë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


"Jam"i lumtur t'ju informoj se të gjitha palët në Traktatin e Atlantikut të Veriut kanë notifikuar pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ratifikimin e Protokolleve të Aderimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut, nënshkruar në Bruksel, më 9 korrik 2008. Rrjedhimisht, protokollet kanë hyrë në fuqi",- thuhet në letrën e dërguar.

"Në emër të të gjitha palëve, - vijon më tej letra e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Scheffer, - jam veçanërisht i nderuar t'i komunikoj Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ftesën për të aderuar në Traktatin e Atlantikut të Veriut". Në fund të letrës së tij, drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer, shpreh kënaqësinë në emër të të gjithë shteteve anëtare të NATO-s për anëtarësimin e vendit tonë në Aleancën e Atlantikut.

Në vijim të letrës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ministri i Jashtëm, Basha, ka udhëzuar Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Uashington, të depozitojë instrumentin e ratifikimit të Aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Depozitimi i instrumenteve të ratifikimit do të kryhet sot, përmes një ceremonie të përbashkët të ambasadorit shqiptar dhe atij kroat, në Uashington.

Shqipëria dhe Kroacia u ftuan për të aderuar në NATO në Samitin e një viti më parë në Bukuresht. Protokollet e anëtarësimit u nënshkruan nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, në korrik të vitit 2008 dhe në një periudhë njëvjeçare, ato u ratifikuan nga parlamentet e 26 vendeve anëtare të saj, ç'ka bëri të mundur ftesën zyrtare të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Në këtë mënyrë, në Samitin e Strasburg/Kehl-it, Shqipëria do të marrë pjesë si anëtare e Aleancës politike dhe ushtarake. Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), mishëron lidhjen transatlantike, që lidh Evropën dhe Amerikën e Veriut në një aleancë mbrojtjeje dhe sigurimi unik.

Qëllimi thelbësor dhe jetëgjatë i NATO-s, i përcaktuar në Traktatin e Uashingtonit, është që të mbrojë sigurinë dhe lirinë e të gjithë anëtarëve të vet me mjete politike dhe ushtarake. Për këtë qëllim, NATO-ja ka kontribuar për mbrojtjen kolektive të anëtarëve të vet qysh nga themelimi i saj, në 1949-ën.

Ajo ka vepruar, gjithashtu, si një forum thelbësor për konsultime mbi çështje të sigurisë me interes për anëtarët e vet, dhe si një shtyllë thelbësore për paqen dhe stabilitetin në zonën euroatlantike.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›