E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja mbretërore përkujton shpalljen e Monarkisë shqiptare nga mbreti Ahmet Zogu



Me rastin e përkujtimit të shpalljes së Monarkisë nga mbreti Ahmet Zogu më datë 1 shtator 1928, dje paradite, në ambientet e Pallatit Mbretëror Shqiptar, naltmadhnia e tij, mbreti Leka I, princi Leka dhe e fejuara e tij, princesha Elia Zaharia, pritën në takim një delegacion bashkatdhetarësh përfaqësues të familjeve fisnike më në zë të Shqipërisë, si dhe kryesinë e Partisë Lëvizja e Legalitetit. Duke falënderuar pjesëmarrësit, mbreti Leka deklaroi se data e 1 shtatorit është pa dyshim një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë, pasi shpallja e Monarkisë më 1 shtator 1928 i hapi rrugë stabilitetit dhe konsolidimit të vendit dhe të institucioneve, por edhe paqes, qetësisë dhe zhvillimit të popullit dhe shtetit shqiptar. “Gjatë viteve të monarkisë shteti u bë me një kushtetutë të standardeve perëndimore, ku të drejtat dhe liritë e shtetasve jo vetëm parashikoheshin në ligj, por gjenin zbatim të plotë në praktikë. Gjithashtu, shtetasit kishin në zotërim pronën e tyre, kishin lirinë e lëvizjes pa viza në çdo cep të botës. Qetësia dhe rendi publik ishin të siguruara. Monedha ishte e konvertueshme dhe tregtia ishte në zhvillim të plotë”, - u shpreh mbreti Leka. Duke përfunduar pasqyrën historike të këtij evenimenti, mbreti tha se monarkia shqiptare u dha fund trazirave politike, grindjeve me shoqi-shoqin dhe e futi vendin mes vendeve perëndimore. Por, për fatin e keq, kjo periudhë zhvillimi u ndërpre nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe Shqipëria vuajti zhvillime negative për një periudhë të gjatë kohe nën regjimin komunist. Në vazhdim, mbreti Leka theksoi: “Unë po i ndjek me vëmendjen më të madhe zhvillimet e fundit politike, sepse gjithmonë jam marrë me politikë dhe asnjëherë nuk kam hequr dorë prej saj. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, por lypset ende punë që të mbërrijmë standarde të kënaqshme për popullin shqiptar”, - tha mbreti Leka. Mbreti u ndal edhe te zhvillimet e fundit politike. “Mua më çudit klima e tensionuar që ekziston ndërmjet dy partive kryesore kur vendi ka nevojë për kontributin e të gjithëve dhe më duket e pakuptueshme se si harxhohen energji kot si koti për çështje që nuk sjellin asnjë dobi”, - u shpreh Leka. Mbreti Leka i bëri një thirrje klasës politike shqiptare, duke i rikujtuar se vendit i duhet zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronës, i duhet reforma në Drejtësi, i duhet reforma zgjedhore e shumë punë të tjera që lidhen me interesat e vendit dhe jo më interesat individuale. Prandaj është mirë që të gjitha palët të ulen bashkë e t’i zgjidhin këto çështje. “Ne nuk duhet të harrojmë se duhet të kryejmë edhe rolin e shtetit amë për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve shtetërorë. Vendimi i fundit i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e njohu si të ligjshme Pavarësinë e Kosovës, ishte një lajm i mirë. Por, diplomacia shqiptare nuk duhet të rrijë duarkryq ndaj përpjekjeve ndërkombëtare që Serbia po bën në dëm të Kosovës dhe të bëjë të gjitha lëvizjet diplomatike të mundshme për daljen sa më të shpejtë të z. Ramush Haradinaj nga gjyqi i Hagës. Në përfundim të bashkëbisedimeve, familja mbretërore shtroi një koktej për nder të miqve dhe të ftuarve.

2 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›