Makina përplaset me pemën, humb jetën i riu
KUKËS - Aksidentet automobilistike në Kukës nuk kanë të ndalur. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm një automjet me dy persona brenda doli nga rruga dhe është përplasur me një pemë, ku për pasojë humbi jetën drejtuesi i mjetit. Makina që lëvizte me shpejtësi në afërsi të Komisariatit të Policisë së Kukësit fillimisht është përplasur në bordurat e trotuarit dhe më pas me një pemë. Nga goditjet në trup, i riu Altin Kastrati, 25 vjeç, nga qyteti i Kukësit, gjeti vdekjen, ndërsa një i ri tjetër, emri i tij nuk bëhet i ditur, është plagosur lehtë. Sipas policisë, shkak për këtë aksident ka qenë shpejtësia e tej normave të lejuara të lëvizjes së automjetit nga dy të rinjtë në orët e vona.
Vetëm brenda dy ditësh në Kukës humbën jetën 4 persona për shkak të shpejtësisë që po udhëtonin makinat, si dhe janë plagosur 3 të tjerë.
2 Shtator 2010