Xhaçka: “Bregu mashtron, kompania nuk është pezulluar një vit më parë”
Partia Socialiste ka publikuar dje të tjera fakte se kompania “MIA Internacional”
nuk është pezulluar një vit më parë. Deputetja Olta Xhaçka ka publikuar një dokument të datës 12 korrik të vitit 2010, të firmosur nga Namik Ajazi, bashkëshorti i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, i cili kërkon mbledhjen e ortakëve të kompanisë për të dhënë dorëheqjen e tij. Por, drejtorit i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tomi Kola, mashtron duke u shprehur se Ajazi e ka pasqyruar kërkesën e pezullimit në tetor 2009.
Deklarata
“Dje i kërkuam drejtorit të QKR-së dorëheqjen për shkak të manipulimit të të dhënave dhe dokumenteve zyrtare që janë bërë pikërisht në institucionin që ai drejton. Sot kërkojmë sërish dorëheqjen e drejtorit të QKR-së për të njëjtën arsye, mbështetur edhe në fakte të reja. Majlinda Bregu dhe drejtori i QKR-së, në unison, pretendojnë se bashkëshorti i ministres është dorëhequr nga kompania ‘MIA Internacional’ më shumë se një vit më parë. Qoftë ministrja, qoftë drejtori, gënjejnë.
Jo vetëm dokumentacioni i vetë QKR-së dëshmon se si brenda së njëjtës ditë, dokumentet e MIA Internacional u manipuluan dhe ndryshuan, por edhe ky dokument i ri që po paraqesim sot provon të njëjtën gjë”, - u shpreh Xhaçka.
Dokumenti
Deputetja Xhaçka publikon dokumentin e datës 12 korrik të vitit 2010, të firmosur nga bashkëshorti i ministres Majlinda Bregu, Namik Ajazi, nën cilësinë e administratorit dhe ortakut të shoqërisë ‘MIA Internacional’. “Pra, siç pranon vetë bashkëshorti i znj. Bregu, të paktën deri një muaj më parë, zoti Ajazi firmoste shkresa zyrtare në cilësinë e administratorit dhe ortakut të kompanisë”, - tha Xhaçka.
Deputetja zbërthen dokumentin në të cilin dëshmohet se Namik Ajazi kërkon të mbledhë ortakët e kompanisë ‘MIA Internacional’ për të dhënë dorëheqje. “Cila na qenka kjo arsye emergjente për të cilën flet bashkëshorti Ajazi dhe për të cilën kërkon mbledhjen e menjëhershme të ortakëve? A mos vallë pikërisht në ditët kur opozita denonconte koncesionet korruptive, bashkëshorti i ministres kish filluar të nuhaste se skandali i radhës do të ishte pikërisht i tiji dhe bashkëshortes ministre? Si ka mundësi që drejtori i QKR-së, edhe pse e mban të depozituar këtë shkresë, përsëri ka paturpësinë për të dalë dhe për të zbatuar urdhrin e Majlinda Bregut, sipas së cilës bashkëshorti është dorëhequr një vit më parë? Vetë dokumentacionet që gjenden pranë QKR-së provojnë fajësinë e drejtorit të QKR-së dhe gënjeshtrën e zotërisë në fjalë, por dhe të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Drejtori ka manipuluar dokumentet zyrtare dhe duhet të dorëhiqet një minutë e më parë. Prokuroria, nga ana e saj, që pardje duhet të ishte në zyrën e drejtorit të QKR-së”, - u shpreh Xhaçka.
Kola, PS-së: “Namik Ajazi kërkoi pezullimin e kompanisë në tetor të vitit 2009”
Kreu i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tomi Kola, ka pranuar se bashkëshorti i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, është bashkëpronar dhe administrator ligjor në kompaninë “MIA Internacional”. Ai u shpreh se Namik Ajazi, bashkëshorti i ministres Bregu, është bashkëpronar me 30% të aksioneve dhe përfaqësues ligjor i saj. Vetë ministrja mohon që bashkëshorti i saj të ketë kompani të lidhur me energjinë.
Drejtori i QKR-së deklaroi se institucioni që ai drejton është transparent dhe bën apel që “dokumentet mos të lexohen politikisht”. Sipas drejtorit Kola, sistemi elektronik është i pamanipulueshëm dhe se kompania e Namik Ajazit është me status të pezulluar. Drejtori sqaron se Ajazi e ka pasqyruar kërkesën e pezullimit në tetor 2009.
Partia Socialiste e akuzoi dy ditë më parë Qendrën Kombëtare të Regjistrimit se me urdhër të ministres Bregu ka ndryshuar formularin e regjistrimit të biznesit për kompaninë “MIA Internacional” 50 minuta pasi selia rozë bëri publikë disa formularë të këtij institucioni që u përkasin kompanive të kunatit të ministres Majlinda Bregu, Hektor Ajazi.
2 Shtator 2010