E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Familja mbretërore socialiste Nano, ka frikë nga ato që unë do të nxirrja"

20/05/2005  Kuvendi rrëzon kërkesën për heqjen e imunitetit të Nikollë Lesit

Kuvendi nuk ka pranuar t'i heqë imunitetin deputetit Nikollë Lesit. Tri muaj më parë, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi që të niste hetimet ndaj Lesit, për shpifje në dëm të Kryeministrit Fatos Nano. Por, dje, në konferencën e kryetarëve është deklaruar se kërkesa nuk do të shqyrtohet as në seancën e fundit. Sipas rregullores, në rast se brenda tri muajve, Kuvendi nuk kthen përgjigje ndaj kërkesës për heqjen e imunitetit, ajo cilësohet automatikisht e hedhur poshtë. Në një prononcim për mediat, Nikollë Lesi thekson se "ky lloj vendimi i Kuvendit tregon që zoti Nano, më saktë familja mbretërore socialiste Nano ka frikë nga ato që unë do të nxirrja e do të pohoja në parlament". Sipas tij, frika qëndron në humbjen më të thëllë ndaj kërkesës së prokurorit. "Këtë herë do të humbte me 100 vota dhe jo me 70, si herën e parë. Është vetëm frikë nga ato që unë do të kërkoja në seancën e parlamentit", tha Lesi. Sipas tij, në dosjen që i është dhënë Porokurorisë, "ka materiale dhe kaseta, ku Nanos duhet t'i hiqet jo vetëm imuniteti, por, sipas rregullores, dhe të arrestohej". Gjithashtu Lesi ka akuzuar prokurorinë për fshehje provash. Nga ana tjetër, deputeti demokristian ka pranuar se gjatë fushatës elektorale imuniteti i deputetëve është i ngrirë dhe mund të veprohet me arrestime. "Imuniteti është i ngrirë të gjithë jemi dhe me dhe pa imunitet. Edhe nëse guxojnë të na arrestojnë dhe tani, do të jetë spektakël dhe nga qelitë e burgut", tha Lesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›