E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria tërheq projektligjin

20/05/2005  Policia kriminale nuk do të jetë në procesin zgjedhor

Qeveria është tërhequr dje nga iniciativa për të përfshirë dhe policinë kriminale në garantimin e kutive të votimit. Shkak për këtë ka qenë mungesa e konsensusit mes forcave politike. Gjatë diskutimit në parim, zëvendëskryeministri Namik Dokle është shprehur se, duke qenë se Kodi Zgjedhor është kërkuar të miratohet me konsensus mes palëve dhe iniciatiava për përfshirjen e policisë kriminale në garantimin e kutive të votimit duhet të miratohet me konsensus, pasi ka ndikim në Kodin Zgjedhor. Ndaj, duke parë reagimin e opozitës, ai ka kërkuar që drafti të mos votohet. Gjatë debateve, përfaqësuesit e opozitës kanë theksuar se ndërhyrja e policisë kriminale në ditën e votimit mund të sjellë pasoja të rënda. Pasi efektiva të policisë kriminale mund të ushtrojnë presion mbi zgjedhësit, ose dhe mbi anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit. Sipas Kodit Zgjedhor, në garantimin e procesit të votimit do të jenë të përfshirë vetëm forcat e policisë së objekteve, policisë rrugore dhe kufitare. Duke parë se në kod kërkohet që policia të shoqërojë kutitë e votimit, qeveria kërkoi shtimin e numrit të efektivave, që është cilësuar e qëllimshme prej partive të opozitës. Madje, është theksuar se, duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve, është e papranueshme që të ndryshohet Kodi Elektoral. Ndaj dhe është kërkuar që ndryshimi i propozuar të mos miratohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›