E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja, protestë për shembjen e shtëpisë pa leje, molotov fadromës

TIRANE Një familje prej pesë anëtarësh ka protestuar dje në autostradën Tiranë-Durrës, në rrugën dytësore të saj, për vendimin e marrë nga Inspektorati Ndërtimor për shembjen e shtëpisë së tyre, pasi rezulton ndërtesë pa leje. Pasi fadromat kanë shkuar para shtëpisë trekatëshe në anë të rrugës, me qëllim shembjen e saj, familja e Ahmet Gjoçit, që banon aty prej vitesh, ka kundërshtuar dhe më pas kanë hipur në tarracën e banesës së tyre, në shenjë proteste për vendimin e marrë nga Inspektorati. Të gjendur përballë kësaj situate, punonjësit e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik kanë kërkuar ndihmën e policisë, pasi po pengoheshin nga familja Gjoçi për kryerjen e detyrës së tyre. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Policisë së kryeqytetit, por megjithatë, Ahmet Gjoçi, bashkëshortja e tij dhe tre djemtë kanë vazhduar të qëndrojnë mbi tarracë dhe kanë nisur ti fyejnë punonjësit e rendit e të Inspektoratit. Ndërsa më pas ata kanë filluar të hedhin bomba molotov në drejtim të automjeteve që ndodheshin poshtë shtëpisë së tyre. Prindërit vazhdonin ofendimet ndaj punonjësve të rendit, ndërsa djemtë mbushnin shishet me benzinë dhe i hidhnin nga tarraca e katit të tretë. Burime nga Policia thanë se një prej fadromava që ndodhej në vendngjarje është përfshirë nga flakët për shkak të një bombe molotov të hedhur sipër saj. Ndërsa më pas, forcat e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kryefamiljarin Ahmet Gjoçi dhe bashkëshorten e tij, të ardhur nga Dibra në kryeqytet, për të cilët ka nisur procedim penal. Disa orë më pas, në polici janë shoqëruar edhe tre djemtë e çiftit Gjoçi, të cilët po ashtu kanë kundërshtuar policinë, madje edhe kanë hedhur bomba molotov nga tarraca e banesës trekatëshe në drejtim të automjeteve të forcave të rendit e fadromave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›