E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja shqiptare nuk përballoi dot misionin e saj, në tranzicion

Autori i Lajmit: red.
Prostitucioni bashkëkohor

Prostitucioni në Shqipëri erdhi bashkë me lirinë e munguar dhe “ngjiti” shumë shpejt. Sidomos trafiku i grave dhe vajzave për shfrytëzim prostitucioni ka patur përmasa aq të mëdha, sa në ndonjë rast prostitucioni është quajtur “hulokausti shqiptar”. “Por ky vërshim nuk lidhet aq me faktorë historikë e të traditës, me psikologjinë sociale dhe vetjake të shqiptarëve apo ca më keq, me karakterin e temperamentin e tyre”, thotë në studimin e tij, psikologu dr. Lekë Sokoli. Tranzicionalistët i kanë shpjeguar dukuritë e reja sociale të tranzicionit paskomunist shqiptar (mafia e kriminaliteti, përdorimi i drogës dhe prostitucioni etj.), si dukuri të lidhura jo me komunitetet e vogla e jetën tradicionale por, përkundrazi, me shembjen e këtyre komuniteteve dhe komercializimin e marrëdhënieve shoqërore.
67% e publikut mendon se varfëria është shkak madhor i trafikimit
Pra “vërshimi” i prostitucionit në Shqipërinë postkomuniste shpjegohet me një varg faktorësh, kryesisht të karakterit social-politik dhe ekonomik. Prostitucioni i brendshëm, sikurse trafikimi dhe ushtrimi i tij jashtë vendit, është favorizuar sidomos nga shndërrimet e ndodhura në fushën e marrëdhënieve familjare. Ja ç thuhet në një studim të vitit 2004, mbi trafikun e grave e vajzave, “Nga studimi i intervistave të realizuara konfirmohet tronditja e lidhjeve familjare, dobësimi i tyre, si karakteristikë e familjes së sotme shqiptare.
Procesi i kalimit nga një familje e gjerë në familje nukleare ndikon që lidhjet midis anëtarëve të saj të jenë të brishta dhe të humbasin pikat e takimit. Familja nukleare nuk është e përgatitur të përballojë problemet e mëdha, i mungojnë nuancat e familjes patriarkale me rregulla të forta dhe norma të caktuara, ku të gjithë janë të bashkuar për një qëllim: të mbrojnë dhe mbështesin familjen. Ajo është e thyeshme dhe e ndjeshme ndaj fenomeneve e problemeve të mëdha sociale... Në pjesën më të madhe të intervistave që janë bërë me gratë e trafkuara, del se pjesë e trafikimit të tyre kanë qenë vetë prindërit ose të afërm të tjerë të familjes...”
Prostitucioni është favorizuar nga papunësia dhe, përgjithësisht, nga gjendja e vështirë ekonomike, si dhe nga etja e shfrenuar për para e fitim. Nga anketimet e kryera del se opinioni publik shqiptar është në masën 67.7 për qind dakord me mendimin se varfëria është një ndër shkaqet e trafikimit të femrave dhe ushtrimit të prostitucionit.
Pse kaq shumë femra shqiptare kanë hyrë në rrugën e prostitucionit?
Pra “vërshimi” i prostitucionit në Shqipërinë paskomuniste shpjegohet me një varg faktorësh si dalja e individit nga izolimi i hekurt dhe kontakti me plagët e qytetërimit të sotëm, shndërrimet urbane dhe emigracioni, pozita gjeografike e Shqipërisë, përbërja moshore (numri i individëve potencialisht të rrezikuar nga prostitucioni është më i madh se në vendet e tjera), rënia e nivelit të shkollës etj.
Prostitucioni është favorizuar nga papunësia dhe, përgjithësisht, nga gjendja e vështirë ekonomike, si dhe nga etja e shfrenuar për para e fitim. Ai është i lidhur me jetën përgjithësisht konfliktuale dhe stresante që ka karakterizuar shoqërinë shqiptare të këtyre viteve, sidomos institucionin e familjes. Pamundësia e familjes për të kryer funksionet e saj ekonomiko-edukative dhe konfliktet që rrjedhin prej saj, kanë çuar në “zgjidhje” të tjera, siç është prirja ndaj prostitucionit. Lulëzimi i prostitucionit në Shqipëri duhet parë në kontekstin e dinamizmit të ri të jetës shoqërore të pas vitit 1990, me daljen në skenë të “shoqërisë liberale”, me faktin që çdo lloj autoriteti u vu në pikëpyetje, që kodi moral i mëparshëm u përmbys, që tabutë e së djeshmes u shembën, që familja tradicionale shqiptare u godit dhe divorcet u shtuan, që marrëdhëniet seksuale paramartesore u pranuan gjerësisht dhe që njerëzit u vunë jo në kërkim të më të mirës, por në kërkim të asaj që “u ishte mohuar”. Përhapja e prostitucionit është e lidhur, pra, jo vetëm me mungesën e rendit publik, por me gjithë situatat shoqërore që përjetojnë të rinjtë, me kontradiktën midis interesave shoqërore dhe kulturore të saj, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, mungesës së mundësive e mjeteve të institucioneve dhe strukturave të shoqërisë shqiptare për plotësimin e tyre.

Rënia e vlerave dhe kulti i antivlerave
Por përdorimi (prodhimi, trafikimi) i drogës, sikurse prostitucioni i brendshëm apo ndërkombëtar i shqiptareve(ëve), më shumë se me varfërinë lidhet me njëfarë lack of pride (humbje e krenarisë), pra me
rënien e nivelit të vlerësimit për vetveten, me mungesën e një qëllimi kolektiv, të një ëndrre të përbashkët (kombëtare), tek e cila mund të besonin shqiptarët. Ndaj asnjë program nuk mund ta minimizojë prostitucionin më shumë se një program i rilindjes morale, i rivlerësimit të vetvetes, i vlerësimit të të qenit shqiptar. Nëse shqiptarët do të vazhdojnë të jenë “të droguar pas parasë”, nëse nuk do të kenë ku të besojnë tjetër veç saj, nuk do të kenë vlera më të mëdha për të mbrojtur apo afirmuar, nuk do të kenë më krenari për të konservuar etj., ata nuk do të reshtin së shfrytëzuari drogën apo së ushtruari apo shfrytëzuari prostitucionin dhe trafikimin e grave e vajzave të tyre.

Rasti në hotel “Dajti”
“Në vitin 1994, pak pas vendosjes së demokracisë, një maqedonas me emrin Tomislav Dungov (Tomçja), një ndër bashkëpunëtorët e mi të parë në fushën e biznesit dhe njëherësh ndër miqtë e mi më të mirë, erdhi në Tiranë dhe u vendos në hotel “Dajti”. Kur po ngjiste shkallët e hotelit, e ndaloi një person rreth të tridhjetave. “Doni një femër, për të kaluar natën”, - pyeti ai. Tomçja, krejt i çuditur, iu përgjigj, vetëm sa për të provuar: “Po, ku janë?” - “Më prit vetëm dy minuta”, - ia ktheu ai. Shumë shpejt ai u kthye me katër-pesë vajza, 20-22 vjeçe, njëra më e bukur se tjetra dhe i tha: “Zgjidh njërën prej tyre”. - “Më fal, - i tha maqedonasi, - se ndërrova mendje; por ti e bëre punën tënde dhe unë do të të paguaj”. Kështu rrëfen psikologu Lekë Sokoli. Sipas tij, këto fakte provojnë ekzistencën edhe në Shqipëri të ushtrimit të prostitucionit nga gra e vajza profesioniste apo të tjera, që e ushtrojnë atë “part time”, krahas atyre që kanë hyrë në tregun e mistershëm të prostitucionit të vendeve të tjera.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›