E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kosova sa më shpejt anëtare e OKB-së”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Kushtetuta e re e Kosovës dhe Paketa Ahtisaari përmbushin standardet më të larta të të drejtave të njeriut dhe ofrojnë mbrojtje të gjerë për të gjithë komunitetet që jetojnë nën Kosovë, në veçanti për serbët e Kosovës”

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar pavarësinë e Kosovës si ngjarjen më të madhe historike, si dhe zhvillimin më të rëndësishëm politik në Ballkan. Ai tha se ky proces është i pakthyeshëm dhe u kërkoi vendeve anëtare të OKB-së që ta pranojnë Kosovën sa më shpejt në OKB. “Shqipëria e konsideron krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës si ngjarjen historike dhe zhvillimin më të rëndësishëm politik të këtij fillimshekulli në rajonin ballkanik. Kosova e pavarur dhe demokratike, e orientuar drejt integrimit euroatlantik, është zgjidhja më e drejtë dhe e qëndrueshme dhe përbën simbolin e investimit më të suksesshëm të komunitetti ndërkombëtar”, - ka thënë Topi. Presidenti shqiptar ka pohuar se pavarësia e Kosovës paraqet stabilitet jo vetëm për Ballkanin, por edhe më gjerë.
Kosova
“Pavarësia e Kosovës e çliron përfundimisht këtë pjesë të Evropës nga makthi i luftës, i konflikteve ndëretnike, i spastrimeve e gjenocidit etnik, përmbush dhe respekton vullnetin e lirë të një populli. Kosova nuk udhëhiqet më nga Jugosllavia e dështuar, as nga jugosllavët e rinj të moderuar, por nga parimet e Evropës së civilizuar dhe të OKB-së së universalizuar”, - tha Topi. Kreu i Shtetit Shqiptar, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, ka shprehur besimin e thellë në një Kosovë multietnike, ku, siç ka thënë ai, të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, do të ndiejnë Kosovën atdhe të tyre. Ai tha se kjo mundësohet edhe nga Kushtetuta e Kosovës.
“Kushtetuta e re e Kosovës dhe Paketa Ahtisaari përmbushin standardet më të larta të të drejtave të njeriut dhe ofrojnë mbrojtje të gjerë për të gjithë komunitetet që jetojnë në Kosovë, në veçanti për serbët e Kosovës”, - tha Topi. Ai përsëriti qëndrimin se Shqipëria i konsideron të pabaza përpjekjet për të vendosur paralele midis Kosovës dhe rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. “Çdo ndërmarrje kundër shëndoshjes së shtetit të Kosovës, politike, ekonomike, ushtarake apo diplomatike nuk është veçse përpjekje e pashpresë kundër proceseve integruese të rajonit tonë në NATO e në BE, investim regresiv kundër progresit për të cilin kemi kaq shumë nevojë dhe aq më pak, ajo nuk mund të shitet si vlerë e Bashkimit Evropian. Ëndrrat historike nuk duhet të errësojnë vizionin për të ardhmen. Argumente të panumërta historike, juridiko-kushtetuese, politike, demografike, etj., dëshmojnë se rasti i Kosovës është unik dhe zgjidhja e zbatuar për të është unike. Shqipëria është e bindur se njohja e shtetit të ri të Kosovës është në interes të Kosovës, të Shqipërisë, të Serbisë dhe të gjithë fqinjëve të afërt ose të largët të saj, të Evropës dhe të hapësirës mesdhetare”, - tha presidenti Topi, ndërsa ka këkruar të pranohet realiteti dhe Kosova të jetë sa më shpejt anëtare e OKB-së.
Qëndrimi Shqipërisë
Topi konfirmoi angazhimin e Shqipërisë për një OKB të fuqishme dhe koherente, të aftë për të përballuar me sukses sfidat e reja me të cilat po ndeshemi aktualisht. Në këtë drejtim, Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje se Shqipëria mbështet plotësisht nismat dhe veprimet e përbashkëta për të forcuar paqen dhe sigurinë kolektive, për të arritur zhvillimin e qëndrueshëm e afatgjatë, si dhe për të promovuar të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. “Ne e shikojmë reformimin e Organizatës në të gjitha aspektet e saj vetëm nëpërmjet bashkëpunimit, dialogut dhe konsensusit”, - tha ai. Presidenti Topi u ndal te lufta globale kundër terrorizmit, duke theksuar se Shqipëria ka përmbushur në mënyrë aktive detyrimet dhe përgjegjësitë e saj në zbatim të Strategjisë Kundër Terrorizmit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të miratuar unanimisht më 8 shtator 2006. “Shqipëria vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë nëpërmjet politikës së saj të moderuar dhe konstruktive. Ajo kontribuon me trupa paqeruajtëse në kuadrin e OKB-së dhe të organizatave të tjera të sigurisë si në Afganistan, Irak, Gjeorgji, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe, kohët e fundit dërgoi 68 trupa në përbërje të EUFOR-it në Çad”, - tha presidenti Topi.

Ky lajm është publikuar: 26/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›