E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria në NATO para samitit”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Luksemburgu, nëpërmjet kryeministrit Zhan Klod Junker i jep mbështetjen Shqipërisë në integrimin euroatlantik dhe në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe në sektorin hidroenergjetik. Junker vizitoi Shqipërinë ku zhvilloi takime me kryeministrin Sali Berisha dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Gjatë takimeve u vlerësuan pozitivisht marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. Në takimin me kryeministrin Junker, kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e investitorëve të Luksemburgut në sektorin hidroenergjetik, por edhe në arsim dhe shëndetësi. Dy kryeministrat ndanë të njëjtin qëndrim lidhur me nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Luksemburgut. Pas takimit mes dy kryeministrave, u zhvilluan bisedimet zyrtare mes dy delegacioneve, të kryesuara nga kryeministri Berisha dhe kryeministri Junker. Në përfundim të bisedimeve, dy kryeministrat bënë të ditur për median çështjet kryesore të takimit. Kryeministri luksemburgas Junker tha përpara medias se “vizita ime është e vonuar, sepse ftesa e kryeministrit Berisha më është bërë kohë më parë dhe unë e kisha planifikuar disa herë këtë vizitë. Këto vitet e fundit vendi ka bërë përparime shumë të mëdha në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, ka arritur suksese të mëdha për t i dhënë Shqipërisë një imazh të mirë në botë, si edhe suksese ekonomike që ende nuk janë plotësuar e përfunduar, por që tregojnë se vendi po ecën përpara. Reformat në fushën e politikës fiskale dhe shoqërore janë mbresëlënëse. Këto suksese të mëdha përbëjnë vizionin e ardhshëm të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Kjo do të ndodhë para Samitit të ardhshëm të Aleancës, që do të mbahet në prill të vitit të ardhshëm dhe Shqipëria më në fund dhe në mënyrë formale do të kthehet në gjirin e familjes së madhe evropiane, së cilës ajo i përket dhe nga e cila e larguan vendimet e kobshme të ndarjes së kontinentit. Në planin dypalësh, ne kemi vendosur të thellojmë marrëdhëniet tona ekonomike, të bashkëpunojmë në kualifikimin e gjyqtarëve, do të fillojmë zbatimin e një programi të nënshkruar midis Shqipërisë dhe Luksemburgut për formimin e bankierëve të rinj, të cilët mund të vijnë e të kryejnë trajnime në Luksemburg. Ne do të lidhim një marrëveshje për taksimin e dyfishtë, kusht thelbësor për të thelluar marrëdhëniet tona ekonomike. Ne do të vazhdojmë të bashkëfinancojmë projekte hidroenergjetike dhe do të vlerësojmë mundësitë që ekzistojnë për të vendosur një bashkëpunim në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe kulturës”, - përfundoi kryeministri i Luksemburgut. Nga ana e tij, kreu i Qeverisë shqiptare nënvizoi se “unë gjithnjë i kam kushtuar dhe u kushtoj një rëndësi të veçantë marrëdhënieve me Luksemburgun. Mbështetja e tyre ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme në nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Ramë dakord me kryeministrin Junker që të punojmë për të krijuar të gjithë bazën më solide ligjore që këto marrëdhënie të zhvillohen me shpejtësi. Luksemburgu i ka dhënë një ndihmë të çmuar Shqipërisë në fushën e infrastrukturës, projektet e qeverisë së Luksemburgut shtrihen nga Durrësi, në Kukës, Mamurras, Laç e zona të tjera të vendit, në furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza, si dhe projekte të tjera në kualifikimin e gjykatësve. Ne diskutuam dhe ramë dakord për kualifikimin e bankierëve, diskutuam për të intensifikuar bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë. Gjithashtu, me kryeministrin Junker diskutuam për liberalizimin e vizave. Unë e njoha mikun tim me të gjitha përpjekjet e qeverisë sime për të arritur standardet e nevojshme që shqiptarët e meritojnë të lëvizin lirisht në hapësirën evropiane”.

Junker-Topalli: “Liberalizimi i vizave do të realizohet së shpejti”

Luksemburgu, vendi ku Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me BE-në, e sheh Shqipërinë në rrugën e duhur të integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. “Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO ishte një rezultat i hapave të bëra nga Shqipëria dhe kemi besim se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në prill të 2009-tës do të bëhet”, - u shpreh në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Kryeministri i Luksemburgut, Zhan Klod Junker, njëri prej personaliteteve më të rëndësishme jo vetëm të vendit të tij, por edhe të Bashkimit Evropian dhe politikës ndërkombëtare. Junker theksoi se marrëdhëniet dhe dialogu politik mes dy vendeve është i shkëlqyer dhe përbën një bazë të mirë për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin ekonomik. Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e rëndësishme të dhënë nga Luksemburgu për MSA-në, marrjen e ftesës për NATO, si dhe për Kosovën.
“Bashkimi Evropian dhe NATO, - tha Kryetarja e Kuvendit, - janë objektiva të qarta tonat, promotorë të ecjes sonë përpara”. Kryetarja Topalli nënvizoi se realizimi së shpejti i kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, do të plotësojë standardet për këtë lëvizje të lirë të qytetarëve. Nga ana e tij, kryeministri luksemburgas garantoi se liberalizimi i vizave do të bëhet i mundur së shpejti duke konfirmuar angazhimin serioz të Bashkimit Evropain për këtë çështje. Kryetarja e Kuvendit u shpreh se mirëpret Kryetarin e Parlamentit të Luksemburgut në një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Ky lajm është publikuar: 26/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›