E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aeroporti i Rinasit, nis faza e modernizimit

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) nisi dje punimet për zgjerimin e kapaciteteve te tij. Në një ceremoni të veçantë ku merrnin pjesë përfaqësues të qeverisë shqiptare, trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe komuniteti i biznesit, Kryeministri shqiptar, Prof. Dr. Sali Berisha, kryetari i Këshillit Administrativ të TIA-s dhe drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i HOCHTIEF AirPort, Dr. Reinhard Kalenda dhe Drejtoresha Ekzekutive e TIA-s, znj. Andrea Gebbeken, kanë çelur zyrtarisht punimet duke hapur brazdën e parë. Në fjalën përshëndetëse, drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i HOCHTIEF AirPort dhe kryetari i Këshillit Administrativ të TIA-s, Dr. Reinhard Kalenda, shprehu besimin se Tirana dhe zonat përreth do të përfitojnë nga zgjerimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. “Ne dimë se zhvillimi i një aeroporti është pazgjidhshmërisht i lidhur me zhvillimet në rajonin në të cilin ndodhet. Duke hedhur hapin e parë në zgjerimin e terminalit, ne po nisim një etapë të dytë në rritjen e aeroportit”, - tha Dr. Kalenda, kryetar i Këshillit Administrativ të TIA-s dhe drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i HOCHTIEF AirPort. Kryeministri Berisha e cilësoi fillimin e punimeve si një ditë mjaft të rëndësishme jo vetëm për konsorciumin që menaxhon TIA, por për gjithë Shqipërinë. “Dua t’ju shpreh falënderimin dhe mirënjohjen për punën e shkëlqyer që ju keni bërë që nga prilli i viti 2005 deri më sot. Në një kohë rekord, ju ndërtuat aeroportin e ri, i cili jo për nga madhësia, por për nga bukuria, krahasohet me dinjitet me aeroportet më të bukura që kam parë. Nga ana tjetër, ju keni sjellë një shërbim shumë të përshtatshëm dhe të kultivuar në aeroport dhe keni vendosur standardet më të mira të sigurisë”, - u shpreh Kryeministri Berisha. “Aeroporti po rritet përkrah Shqipërisë”, - deklaroi Drejtoresha Ekzekutive e TIA-s, znj. Andrea Gebbeken. “Çdokush që bën biznes në këtë vend do të kuptojë se kjo është një simbiozë me rëndësi themelore”. Znj. Gebbeken renditi disa nga arritjet e TIA-s që nga fillimi i operimit në Shqipëri e deri më sot. Sipas saj, pas përmbushjes së shifrës së 1 milion pasagjerëve në vitin 2007, është shënuar sërish një rritje mbresëlënëse në numrin e pasagjerëve me rreth 19 për qind gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çka është kombinuar me një rritje prej 10-përqindësh në lëvizjet e trafikut ajror. Faza B e modernizimit të aeroportit do të rrisë ndjeshëm kapacitetet operacionale, si dhe do të zgjerojë terminalin e pasagjerëve. Ky zgjerim bazohet në konceptin themelor për të ofruar një terminal të mirë integruar, në mënyrë që të përmbushen të gjitha kërkesat e pasagjerëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›