Matura Shtetërore – AVA, të hënën rezultatet e provimeve me zgjedhje
Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) është në përgatitjet e fundit për publikimin e rezultateve të provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore.
Edmond Lulja, drejtori i AVA-s konfirmoi se "rezultatet e 32 mijë maturantëve, pjesëmarrës në provime, do të publikohen të hënën".
Menjëherë pas shpalljes së rezultateve pritet të nisë procesi i përllogaritjes së pesë komponentëve të Maturës, ndërsa listimi i fituesve për të vazhduar studimet e larta, në bazë të kuotave të pranimit, do të publikohet gjatë fillimit të muajit shtator.
Regjistrimet e kandidatëve për studentë në universitetet e vendit do të kryhen në shtator, bazuar në parimin Meritë-Preferencë (MeP). Ky proces do të zhvillohet me dy faza, me regjistrimin paraprak dhe përfundimtar.
Pasi shpallet lista e fituesve me renditjen fillestare të gjithë kandidatëve në degët përkatëse, bëhet regjistrimi paraprak pranë sekretarive të IAL-ve. Regjistrimi paraprak është i detyrueshëm brenda afatit kohor të përcaktuar nga MASH-i dhe nëse nuk kryhet, maturanti humbet të drejtën për të vazhduar më tej. Pas regjistrimit paraprak, hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar për arsye të ndryshme dhe shpallet lista e re me fituesit përfundimtarë.
Nëse maturantët nuk bëjnë regjistrimin përfundimtar në degën përkatëse, ata humbasin të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë. Këtë vit akademik do të regjistrohen 20 mijë studentë në shkallë vendi.