E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e Gërdecit, letër Topit: “Të zbardhet ngjarja”

Autori i Lajmit: Redaksia
Shoqata e familjarëve të Gërdecit ka reaguar pas vetëhelmimit të Kujtim Osmanit, babai i njërës prej viktimave të Gërdecit. Familjarët e viktimave i janë drejtuar Presidentit Bamir Topi, dhe të gjitha institucioneve të drejtësisë, prokurorisë, Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, madje edhe medies. Kjo shoqatë fajëson drejtpërdrejt shtetin për mungesën e vëmendjes ndaj viktimave të Gërdecit. “Kjo tragjedi që ka marrë me vete përgjithnjë shpirtrat e të dashurve tanë, ka lënë pas një mori hallesh e problemesh që po persekutojnë familjarët, sikur të mos mjaftonte rëndimi shpirtëror, moral e psikologjik i tyre”, deklarojnë në letër të afërmit.

Ngjarja

“Vetëvrasja e Kujtim Osmanit është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vëmendjes së shtetit ndaj viktimave të tragjedisë”- shkruajnë familjarët në letrën drejtuar kreut të shtetit. “I flakur në tragjedi familjare, pas humbjes së vajzës së tij, ky baba fatkeq 43-vjeçar është përballur edhe me vështirësi të mëdha ekonomike, e me papunësi e probleme të tjera individuale e sociale, të cilat natyrisht që kanë marrë shkak në depresionin e shkaktuar pas shpërthimit. Askush nuk i është gjendur pranë Kujtim Osmanit në momentet e tij të errëta, asnjë shërbim social, asnjë ndihmë ekonomike, asnjë përkujdesje mjekësore, apo detyrime të tjera që shteti e institucionet duhet tia ofronin për të zbutur pasojat post-traumatike”, citohet në letër. Sipas saj, përveç 26 viktimave që humbën jetën në shpërthimin e mallkuar të 15 marsit 2008, kjo tragjedi vijon të marrë jetë njerëzish. “Pak muaj më parë ka humbur jetën si pasojë e depresionit dhe përkeqësimit shëndetësor e psikologjik edhe e ndjera Naile Ahmeti. Dje, u shtua dhe viktima e 28, pas vetëvrasjes së Kujtim Osmanit që prej disa javësh po përjetonte stres dhe depresion të skajshëm. I ndjeri Osmani, ditët e fundit të jetës së tij i kaloi nën trishtimin e humbjes së vajzës së tij, por edhe nën poshtërimin që të sjell mbetja pa punë. Ky rast denoncon edhe një herë kushtet çnjerëzore sociale e psikologjike që po përjetojnë familjarët e viktimave, të flakur në varfëri, papunësi, e probleme me strehimin, ndërkohë që fatkeqësia familjare nuk na lejon të përballojmë me të gjitha forcat tona këto probleme jetësore që na prekin”, vazhdon deklarata. Ajo kërkon të përshpejtohet shqyrtimi dhe procedimi i të gjitha çështjeve ligjore që kanë të bëjnë me padrejtësinë që i është kryer viktimave të Gërdecit. “Gjithashtu kërkojmë në mënyrë urgjente ndihmë sociale e shërbime shëndetësore të aksesueshme për të gjithë familjarët e viktimave, të cilët në një vit e gjysmë janë lënë në indiferencë të plotë të enden dyerve të institucioneve pa marrë kurrë ndihmën që u takon”, thuhet më tej në reagimin e Shoqatës së Viktimave të Gërdecit. Ata shprehen se janë të bindur që drejtësia nuk do të vonojë. Dokumenti është nënshkruar nga Feruzan Durdaj.

Ky lajm është publikuar: 14/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›