E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjaret e Xhindit të irrituar: Do të bëjmë vetëgjyqësi

03/05/2011  Dy vjet më pas, ngjarja ende e pazbardhur. Apel shtetit: Të mos neglizhohet më

FIER- Dy vjet pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, si dhe ngritjes e rrëzimit të shumë pistave për autorin e ngjarjes, dhe familjarët e të ndjerit kanë reaguar të irrituar. Ata janë shprehur të pakënaqur nga ecuria e hetimeve të deritanishme. Vëllezërit, të afërmit miqtë dhe bashkëqytetarët e Fatmir Xhindit janë mbledhur në banesën e deputetit të vrarë për të kryer ritet e përvjetorit të ngjarjes makabre, ndërsa nesër është menduar t’i bëhet ceremonia tradicionale e përvjetorit të vdekjes. Të afërmit kanë folur me tone të ashpra dhe janë shprehur mosbesues ndaj drejtësisë shqiptare, ndërkohë që shprehen se janë drejt një vendimi për vetëgjyqësi. Ata edhe këtë herë kanë përsëritur apelin ndaj autoriteteve më të larta të drejtësisë në vend për zbardhjen e vrasjes autorit.

Familjarët

Në emër të familjarëve, vëllai i deputetit të ekzekutuar, Ilir Xhindi, deklaron se ky rast është neglizhuar dhe se drejtësia duhet të gjej autorin. “Nëse do të kishin pasur vullnetin, çështja e vëllait tonë të dashur nuk do të mbetej kështu në copa letre të hedhura cepave të organeve më të larta të drejtësisë. Politika dhe qeveria shqiptare duhet të bënin të pamundurën për këtë ngjarje. Se nuk u vra një njeri nga ne apo një individ i thjeshtë, por u vra një deputet. Nëse ata nuk e zgjidhin ne do të marrim vendim për vetëgjyqësi. Vetëm kjo mbetet kur nuk funksionon shteti ligjor. Kemi humbur besimin. Dhe kjo nuk është shenjë e mirë. Kërkojmë zbardhjen e vrasjes dhe autorët e saj, në të kundërt kjo heshtje, ky dështim do të në japë të drejtën të vëmë gishtin e të themi se vrasësi mund të jetë vetë shteti”, ka deklaruar Ilir Xhindi. Pistat e dyshimta sipas familjarëve janë pistat politike, tek e cila ata shohin mundësitë dhe shkakun e një vrasjeje të tillë. Edhe kohë më parë Xhindi ka nisur letër të hapur për përfaqësitë diplomatike në vend ku më tepër u përqendruan tek ambasadori amerikan. Gjithmonë familjarët kanë pritur me sy nga drejtësia, por deri tani për ata nuk ka dalë në sfond asnjë emër apo pistë për ngjarjen. Nesër pritet që në Roskovec të mbërrijnë krerët më të larët të PS-së, deputetë të zonës, përfaqësues të PS-së së rrethit etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›