E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishqyrtimi i vendimeve për pronat, peng në Kushtetuese

03/05/2011  Pezullohet puna, sektori i AKKP-në do të shqyrtojë kërkesat për kompensimin financiar

Prej më shumë se një muaji e gjysmë është pezulluar puna në sektorin e shqyrtimit të vendimeve të dhëna më parë nga drejtoritë rajonale të AKKP-së, të cilat janë shkrirë, apo vendimeve të Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Sipas kreut të AKKP-së, Elvis Çefa, ky sektor është marrë kryesisht me pranimin e kërkesave të ish-pronarëve, të cilët aplikuan për kompensimin financiar 2011. Për pranimin e kërkesave të këtij viti AKKP-ja vuri në dispozicion të ish-pronarëve një staf prej 16 vetësh nga të cilët 12 ishin juristë. Procesi i pranimit të kërkesave për kompensimin financiar zgjati 1 muaj dhe në të morën pjesë 1012 persona të interesuar. Fondi për këtë proces është rreth 1 miliard lekë të reja këtë vit dhe pritet që numri i përfituesve të jetë më i madh se çdo vit tjetër.

Pezullimi nga Kushtetuesja

Gjykata Kushtetuese prej vitit të kaluar ka marrë një vendim që ka pezulluar disa nene të ligjit Nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Kryesisht bëhet fjalë për nenet që kanë të bëjnë me të drejtën e kreut të AKKP-së për të rishikuar dhe anuluar vendime të mëparshme të dhëna nga drejtoritë rajonale të këtij institucioni, apo nga KKKP-ja. Gjykata Kushtetuese ka 3 muaj afat për të dhënë një vendim, tashmë ka kaluar një muaj e gjysmë nga shqyrtimi dhe pezullimi i neneve të këtij ligji. Është e dyta herë që për të njëjtën çështje lidhur me nenet që kanë të bëjnë me të drejtën e agjencisë dhe pikërisht të kreut të saj për të riparë apo anuluar një vendim të dhënë më parë shkojnë në Gjykatën Kushtetuese me kërkesë të ish-pronarëve. Në ndryshimin që ju bënë ligjit u vendos që kjo e drejtë që i jepet me ligj kreut të institucionit të ushtrohej vetëm nëse do të kishte një ankesë paraprake, nga vetë i interesuari, nga institucione si Avokati i Shtetit, Zyra e Krimit Ekonomik në Kryeministri, apo Hipoteka.

Pretendimet

Sipas argumenteve të Shoqatës së Pronarëve, kjo është shkelje e të drejtave legjitime të dhëna me Kushtetutë. Nisur edhe nga vendimet e mëparshme të gjykuara në Gjykatën e Lartë, pretendohet se drejtori i përgjithshëm i AKKP-së nuk mund të marrë në shqyrtim (mbi ankim administrativ apo edhe kryesisht) edhe vendimet e ish- KKKP, aq më tepër pa asnjë kufi kohor. Drejtori i Përgjithshëm i AKKP nuk mund të marrë në shqyrtim kryesisht vendimet e zyrave rajonale të AKKP. Sipas argumentimit të Gjykatës së Lartë, nenet 16 dhe 18 të ligjit 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” i ndryshuar, me kompetencat që i japin Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së cenojnë parimin e sigurisë juridike. Gjithashtu, subjektet e shpronësuara dhe Avokati i Shtetit nuk mund të kundërshtojnë vendimet e ish KKKP pa asnjë afat kohor. Gjykatësit argumentojnë se dispozitat e kundërshtuara kanë sjellë si pasojë mohimin e të drejtës së subjekteve, që janë përfitues nga një vendim i mëparshëm i KKKP, për t’u ankuar në gjykatë, në rast se Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së do të vendosë që të shfuqizojë vendimin e dhënë më parë nga zyrat rajonale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›