E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet mashtruesi për nxjerrje vizash

Tiranë

Një mashtrues, i cili u merrte paratë njerëzve me pretendimin për t’u nxjerrë viza dhe që nuk ua kthente më, ka përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit. Shpëtim Baliaj, 45 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, është arrestuar gjatë ditës së djeshme për veprën penale të “mashtrimit”. Baliaj është dënuar dy herë për të njëjtën vepër penale nga gjykatat shqiptare. Më 19 maj të vitit 2008, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg, ndërkohë që më 9 tetor të vitit 2008, Gjykata e Apelit ka caktuar një dënim të vetëm prej 3 vjet e 6 muaj burg. Shkëlqim Baliaj mashtronte persona të ndryshëm se mund të siguronte viza të rregullta për të dalë jashtë vendit. Historia fillon në muajin qershor të vitit 2004 kur ai është takuar rastësisht me shtetasin Mehdi Krasniqi, me të cilin kishte dhe një lidhje gjaku. Në bisedë e sipër, Krasniqi i ka kërkuar atij që djalin Gëzim Krasniqi ta dërgonte jashtë shtetit dhe pikërisht në Itali, por me dokumente të rregullta. Pas shumë sorollatjesh dhe rrugësh, deri në shtetin Maqedoni, ai nuk ka mundur ta nxjerrë jashtë kufijve Gëzim Krasniqin. Mehdi Krasniqi i ka kërkuar lekët e dhëna, ndërkohë që Baliaj i premtonte se do t’ia kthente. Pas disa kohësh pritje, Mehdi Krasniqi ka bërë kallëzim në prokurori, për shumën prej 4000 lekë dhe 950 euro. Ndërkohë që në të njëjtën grackë ka rënë dhe shtetasi Musa Ismaili, banues në Shijak. Ai i ka kërkuar Shpëtim Baliajt që dy vajzat e tij t’i dërgojë në Kanada, kundrejt 15 mijë dollarëve. Rrugëtimi dhe mekanizmi i mashtrimit ishte i njëjtë dhe për këtë episod, kur të dëmtuarit janë sorollatur në Maqedoni, duke mos arritur synimin e tyre. Pas disa kohësh, duke pritur paratë, edhe Ismaili e denoncon Shpëtim Baliajn për të njëjtën vepër penale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›