E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në bilardo, ekzekutohet me armë 32-vjeçari

FUSHë-KRUJë
Artan Elezi ndërroi jetë, pasi u qëllua me tri plumba nga bashkëmoshatari Skerdilajd Shala

Vrasja në një bilardo të qytetit ka tronditur opinionin e Fushë- Krujës. Avujt e alkoolit dhe armët pa leje në duart e popullatës vazhdojnë të prodhojnë krime të njëpasnjëshme dhe në ambiente publike, duke marrë jetë njerëzish dhe përhapur panik e pasiguri për qëndrimin në to. Ngjarja e rëndë që ndodhi rreth orës 01:05 të ditës së hënë në bilardon e shtetasit H.M. regjistroi vdekjen e të riut Artan Elezi, 32 vjeç nga Fushë-Kruja. Ai u qëllua me armë zjarri pas një sherri që ndodhi mes tyre në ambientet e bilardos nga bashkëmoshatari i vet, Skerdilajd Shala. Viktima ka mbërritur i plagosur në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, po nuk ka mundur të mbijetojë nga plagët e marra dhe ka gjetur vdekjen. Në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e para hetimore, ndërsa struktura për hetimin e krimit ka identifikuar fillimisht dhe më pas ka kapur të dyshuarin si autor i ngjarjes. Pas krimit, i dyshuari Shala ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe ai u gjet i fshehur në një banesë në dalje të Fushë Krujës. Shala është kapur rreth tetë orë pas krimit të kryer, ndërsa policia pranon se vrasja ndodhi për motive të dobëta, një sherr mes viktimës dhe autorit, ndërsa luanin bilardo nën shoqërinë e pijeve alkoolike. Mësohet se autori ka qëlluar tri herë mbi Elezin, për t’i dhënë fund sherrit të nisur mes tyre nga gjaknxehtësia dhe ndikimi i pijes dhe ndaj tij është ngritur akuza e konsumimit të veprës penale të vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje. Burimet policore thanë se po punohet edhe për gjetjen e armës së përdorur nga autori në këtë ngjarje që ka cenuar rëndë rendin dhe sigurinë publike në qytetin e Fushë-Krujës dhe zonat përreth. Ndërkohë të gjitha materialet procedurale për ngjarjen i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit të Krujës, e cila do të shqyrtojë rastin dhe dërgojë në bankën e të akuzuarve 32-vjeçarin Shala.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›