Familjarët e “kamikazit” nuk denoncojnë zhdukjen e të dashurit të tyre
21/03/2005 Ndonëse për ditë me radhë policia dhe prokuroria kanë pritur një kallëzim për zhdukje personi të seksit mashkull, asnjë i tillë nuk ka mbërritur në komisariate. Burime të policisë thonë se, tashmë është e kotë që të pritet për një denoncim të tillë, pasi familja e viktimës duhet ta dijë shumë mirë se çfarë i ka ndodhur të dashurit të tyre. Por, duket se ka vendosur të mos e denoncojë një fakt të tillë, duke lënë kështu pezull zyrtarizimin e identitetit të tij. Nga burimet, mësohet se janë dy versione të cilat dyshohen pse familja e viktimës nuk denoncon zhdukjen e të afërmit të tyre. E para dyshohet të kenë frikë ta kryejnë një kallëzim të tillë. Ndërsa e dyta, që është edhe më bindëse, është ajo se atyre, nuk u intereson publikimi i emrit të tij, sqarojnë burimet. Kjo pasi dyshohet se pas identifikimit zyrtar të personit që mbeti i vdekur si pasojë e shpërthimit të një sasie eksplozivi te “Don Bosko”, të sqarohen të gjitha rrethanat e kësaj ngjarje si dhe objekti i atentatit. Burimet thonë se zbadhja e ngjarjes, duket se nuk i intereson familjes së viktimës. Ato shtojnë se në rrugë operative është arritur të konkludohet në një emër të dyshuar lidhur me identitetin e viktimës, por ende nuk mund të zyrtarizohet pa një provë materiale apo pa një denoncim të familjarëve. Nga burimet mësohet se gjatë këtyre ditëve, asnjë person nuk ka shkuar në Morgun e Tiranës për të parë nëse kufoma mund t’i përkiste ndonjë të afërmi të tyre.